Ekonomia shqiptare në 2018 – Ekspertët propozojnë rimodelim të strukturës ekonomike

Pavarësisht se ekonomia shqiptare në 2017 pritet të mbyllet me rritjen e parashikuar, ky vit nuk do të jetë i lehtë. Ekspertet e ekonomisë, Adrian Civici dhe Selami Xhepa, në një analizë për TV SCAN theksojnë disa faktorë që do të ndikojnë pozitivisht në rritjen ekonomike, por nuk lënë pa përmendur edhe risqet. Sipas tyre, rimodelimi i ekonomisë mund të sillte dhe një integrim më të madh të ekonomisë sonë në atë rajonale dhe europiane.
“Ngelet shumë për të bërë jo vetëm në kuadrin e Procesit të Berlinit, po edhe një vështrim më strategjik dhe më afatgjatë në krijimin e një ekonomie më rajonale do thoja. 8 ose 10 vendet e Europës Juglindore me sa duket dhe në perspektivë duhet të përbejnë një treg më të harmonizuar, më të përhapur ndërmjet tyre, jo vetëm që të përfitojnë, por që të jenë më gati për t’u integruar në një treg më të madh, siç është Bashkimi Europian. Nëse ne vazhdojmë me koncepte dhe vizione krejt lokale, krejt të përkohshme, konjukturore, të palidhura me këto makrotendenca të mëdha të tregjeve përfshi këtu edhe tregjet financiare dhe monetare dhe po të zhvillimit, natyrisht që do të vazhdojmë të kemi zgjidhje sot për nesër, zgjidhje alla-shqiptarçe të cilat nuk na çojnë asgjëkundi.”
“Pritet që të kemi dhe një zhvillim ndoshta dhe më të rëndësishëm fjala vjen në turizëm, në bujqësi, apo në disa sektorë të ICT, pra të Teknologjive të Komunikimeve dhe të Informacionit, të cilat në përgjithësi pritet që të shoqërohen me një vlerë më të lartë, të shtuar në ekonomi. Pra, ka si të thuash disa lloj përpjekjesh ose intensionesh nga ana e qeverisë, por që kjo sigurisht një vit do të jetë shumë pak për t’u parë nëse do të materializohet apo jo, por ky është një proces afatgjatë. Ky është një proces ku nuk mund të thuhet që efektet e saj do të shfaqen dhe do të manifestohen plotësisht brenda një periudhe kaq të shkurtër kohe. Por, e rëndësishme është që përtej këtyre ne duhet të shikojmë ambientin e mjedisit për investime në Shqipëri.”
Sipas ekspertëve, e rëndësishme është përmirësimi I klimës së biznesit dhe sidomos stimulimi për rritjen e investimeve të reja qoftë vendase apo të huaja.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.