Ekonomia zvicerane rritet me 0.1% në T4 prej eksporteve të dobëta
Ekonomia e Zvicrës u rrit me vetëm 0.1% në tremujorin e katër të 2016-ës, një normë shumë poshtë pritshmërive të analistëve. Kjo normë ishte e njëjtë me atë të tremujorit të tretë, por poshtë pritshmërive prej 0.5%, duke mos arritur as vlerësimin më pesimist.
Ekonomistët thonë se ndërsa konsumi privat është rritur ndjeshëm, investimet në pajisje dhe shpenzimet në hulumtim treguan rënie. Eksportet kanë rezultuar negative për sektorë individual, përfshirë prodhuesit e orëve si Swatch dhe Richemont.
Eksportet kanë patur ecuri të dobët prej frangës së fortë, që Banka Qendrore e ka quajtur vazhdimisht të mbivlerësuar. Konsumi privat u rrit me 0.9% në tremujorin e katërt, falë shpenzimeve në kujdesin shëndetësor, strehim dhe energji.
Investimet në pajisje ranë me 0.7% ndërsa eksportet e mallrave ranë me 2.5%.
Në 2015-ën, rritja ekonomike e Zvicrës gati u përgjysmua, pasi franga u rrit ndjeshëm kundër euros ndërkohë që Banka Qendrore vendosi të heqë tavanin me valutën europiane.
Për të gjithë vitin, ekonomia e Zvicrës u përshpejtua në 1.3% nga 0.8% që ishte në 2015-ën. Indeksi PMI i Zvicrës tregoi nivelin më të lartë në 6 vite, ndërsa barometri ekonomik, një tregues tjetër që sinjalizon drejtimin e ekonomisë, u rrit në 107.2 pikë për Shkurtin, niveli më i lartë në 4 vite.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.