Ekskluzive/Gati 2 PPP për rrugët – Balluku: Brenda 15 majit në parlament, projektet për rrugët me pagesë
Brenda datës 15 maj, 2 kontratat e partneritetit publik-privat për akset Milot-Balldren dhe Orikum-Dukat do të shkojnë në parlament për miratim”. Lajmi bëhet me dije nga ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, gjatë një intervistë dhënë për TV SCAN, ku ka folur për disa nga projektet më të rëndësishme infrastrukturore.
“Kontratat për momentin janë në fazë negocimi, pra ndodhen akoma brenda ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë për të arritur kushtet më optimale për sa i përket partneritet sigurisht, por duke mbrojtur interesat e shtetit shqiptar por dhe duke kërkuar maksimumin e cilësisë gjatë ofrimit të këtyre projekteve. Deri në datën 15 maj të dy këto kontrata do t’i dorëzohen Parlamentit, pra komisioneve në Parlament për të proceduar sa më parë, pasi janë projekte të mira, janë projekte të cilat do influencojnë rrjetin rrugor shqiptar”, u shpreh Balluku.
Pa ndërprerjes së procedurës së partneritetit publik privat për Thumanë-Kashar, ministrja thotë se aktualisht po punohet për projektin e ri nga Thumana në Rrogozhinë, ndërsa nuk përjashton mundësinë që ky aks të jetë me pagesë. E njëjta strategji do të ndiqet edhe për autostradën Tiranë-Durrës, ndërkohë që sipas Ballukut në vjeshtë edhe këto kontrata do të jenë gati.
“Duke qenë se ne kishim ecur me planifikimin rrugor, vendosëm që ky projekt të rishikohet dhe tani do të dali në një formë tjetër duke mbuluar një aks më të gjatë dhe duke krijuar korridorin e shumëpërfolur të Rrogozhinës i cili e ul kohën për të aksesuar Jugun në më shumë se një orë.”
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë thekson se në çdo rast qytetarëve do u ofrohen rrugë alternative pa pagesë. Sa I takon rihapjes së tenderit për lotin e parë të unazës së madhe, Balluku thotë se javën që vjen do të nisin konsultimet publike për projektin e rishikuar.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.