Ekskluzive – Gjiknuri: Reforma që e rimëkëmbi energjinë (Intervista e plotë)

Ministri i Energjisë dhe Industrisë, Damian Gjiknuri e konsideron reformën në sektorin energjetik shqiptar si reformën më të rëndësishme në vend, që e rimëkëmbi këtë sektor jetik. Gjatë një interviste ekskluzive për “SCAN Magazine”, Gjiknuri flet dhe për projektin “TAP“, negociatat për përshtatjen e termave të këtoj projekti madhor, përfitimet që Shqipëria do të ketë prej këtij gazsjellësi, si dhe katër skenarët e transmetimit të tij. Gjithashtu, kreu i MEI-t tregon edhe se ç’do të ndodhë në të ardhmen me çmimin e dritave, me minierat, sektorin e hidrokarbureve, koncesionet, hidrocentralet private dhe matësit smart të energjisë elektrike.
Ministër, “TAP“ është një projekt nga i cili, siç dhe është deklaruar, pritet të ketë përfitime direkte dhe të konsiderueshme në ekonominë shqiptare. Ju keni nënshkruar një marrëveshje me “TAP“-in pas negocimit, kur dhe deklaruat një bilanc pozitiv me 80 milionë euro në favor të Shqipërisë. Cilët janë konkretisht këto përfitime dhe ku lëshoi “pe” qeveria shqiptare?
Shqipëria ishte vendi i parë që firmosi me “TAP“ Marrëveshjen e Vendit Pritës në prill 2013. Bazuar mbi përcaktimet ligjore të kësaj marrëveshjeje, pala shqiptare kishte të drejtën të kërkonte përshtatjen e termave të saj për të siguruar trajtim të barabartë dhe kushte jodiskriminuese. Negociatat e reja mes qeverisë shqiptare dhe “TAP“, zhvilluar në maj-dhjetor 2016 u mbështetën gjithashtu nga qeveria e Zvicrës përmes projektit të ndërtimit të kapaciteteve në sektorin e gazit. Përmes granteve të ofruara u angazhua një konsorcium i drejtuar nga “Roland Berger” që ndihmoi me konsulencë teknike qeverinë shqiptare në krahasimin e marrëveshjeve që “TAP“ kishte firmosur me Greqinë dhe Shqipërinë, si dhe rinegocimin e termave më të mirë për vendin tonë. Negociatat nuk ishin aspak të lehta dhe duhet kuptuar se në një proces të tillë dialogu asnjë palë nuk merr maksimumin, por gjendet zgjidhja më optimale. Në këtë rast, më duhet të konfirmoj se përmes këtyre negociatave që zhvilluam, garantuam ripozicionimin e Shqipërisë në raport me “TAP“-in në të njëjtat nivele me Greqinë. I gjithë negociimi evitoi pozitat inferiore dhe maksimalizoi përfitimet në interesin e ekonomisë dhe buxhetit. Thënë ndryshe, e gjithë kjo paketë e rinegocuar në plan afatmesëm dhe afatgjatë i jep Shqipërisë një përfitim të llogaritur në mbi 80 milionë euro shtesë. Këto përfitime siç tanimë është bërë e ditur kanë të bëjnë me: ndryshimin e periudhës së stabilitetit fiskal, që i jep të drejtën shtetit shqiptar të marrë më shpejt dhe më shumë tatim fitimi. E konvertuar në vlerë përgjatë kohëzgjatjes operacionale të projektit pritet të ketë një efekt pozitiv për shtetin shqiptar me 60 milionë euro; rritja e investimeve në komunitet nga 7 në 14 milionë euro; dyfishim i financimit për rritje dhe forcim kapacitetesh në sektorin e gazit natyror, nga 350.000 euro në 700.000 euro; memorandumi i Mirëkuptimit që synon të mbështesë kompaninë e sapokrijuar “Albgaz“ (Operatori i Sistemit të Transmetimit të Gazit ne Shqipëri), në aftësimin e saj për të qenë pjesë e ofrimit të shërbimeve të mirëmbajtjes për “TAP“ në fazën operacionale. Gjithashtu, nga ana e “TAP“ u shpreh vullneti për të përmbushur disa detyrime të tjera përsa i përket: sigurimit financiar të aktiviteteve në seksionin që shtrihet në territorin shqiptar; mundësinë e kufizimit të kohëzgjatjes së MQVP-së në 25 vite në rastin e plotësimit të kushteve të përcaktuara; zgjatjen e afatit të rimbursimit të TVSH-së nga 30 në 180 ditë dhe dhënien e të drejtës palës shqiptare për të marrë të njëjtat përfitime nëse “TAP“ lidh marrëveshje tjetër MQVP me një shtet tjetër pritës.
Po në sektorin e energjisë, cili pritet të jetë ndikimi i “TAP“-it? Ka një studim fizibiliteti për TEC-in e Vlorës për ta bërë funksional, duke përdorur gaz dhe përmes një procedure partneriteti publik-privat. Mendoni se kjo mund të rezultojë e suksesshme?
Pa diskutim që projekti i gazsjellësit “TAP“ e plotëson më tej hartën energjetike të Shqipërisë dhe ripozicionimin e vetë vendit tonë në raport me rajonin e Ballkanit e më gjerë. Përfitimi më i madh është mundësia për të diversifikuar burimet energjetike në vend, sepse deri më tani prodhimi i energjisë në vend është 100% nga burimet ujore. Aktualisht është duke u zhvilluar studimi i fizibilitetit për lidhjen e gazsjellësit “TAP“ me Termocentralin e Vlorës për të mundësuar rivënien në punë me gaz të kësaj “kufome” energjitike. E cilësoj të tillë, pasi që nga momenti kur është ndërtuar nuk është vënë në punë për shkak të defektit që ka pësuar ndërsa KESH paguan kredinë e marrë për këtë vepër. Në shembullin e shumë vendeve të zhvilluara, kemi deklaruar gjithashtu se jemi të hapur për të parë opsionet e një partneriteti publik-privat që konsiston në operim/mirëmbajtje të TEC-it pa ndryshuar pronësinë e tij, e cila do t’i mbetet shtetit siç është dhe sot. Ende jemi në proces vlerësimi të mundësive dhe shprehjeve të interesit për këtë qëllim.
Ka një theks të vazhdueshëm për gazifikimin e Shqipërisë. Keni kryer një përllogaritje sa është kostoja totale e këtij projekti, edhe pse afatgjatë? Pasi vetëm shtrimi i një kilometri linjë, sipas shifrave zyrtare, në Evropë nis nga 600 mijë deri në 2 milionë euro, në bazë të inch-eve të tubacionit…
Duke e vlerësuar gazifikimin e Shqipërisë dhe diversifikimin e burimeve të furnizimit si një nga prioritetet strategjike të zhvillimit të sektorit energjetik në vitet dhe dekadat e ardhshme, Ministria e Energjisë dhe Industrisë, në fazën aktuale ka ndërmarrë studime të ndryshme në bashkëpunim me donatorët kryesorë sikurse është studimi për Master-Planin e Gazit për Shqipërinë, i cili është në fazën përfundimtare të tij dhe po realizohet në sajë të një financimi prej 1,1 milion euro dhënë si grant nga “ËBIF“. Në Master-Planin e Gazit për Shqipërinë është supozuar që sistemi i transmetimit në Shqipëri do të furnizohet me gaz natyror nga gazsjellësi “TAP“, që do të përbëjë objektin më të rëndësishëm strategjik në zhvillimin e sektorit të gazit në Shqipëri dhe lidhjen e Shqipërisë me rrjetet rajonale dhe evropiane të gazit. Janë konsideruar katër skenarë të sistemit të transmetimit në Shqipëri, ku përfshihen skenarët me ndërtimin ose jo të projektit “IAP“ (respektivisht skenarët 1 dhe 2 që parashikojnë edhe ndërtimin e projektit “IAP“, si dhe skenarët 3 dhe 4 që nuk parashikojnë ndërtimin e projektit “IAP“), si duke përfshirë edhe furnizimin e Kosovës nëpërmjet Kukësit dhe furnizimin e ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë nga Përrenjasi. Pavarësisht nga skenari i parashikuar, kostoja specifike e ndërtimit të tubacionit të gazsjellësit dhe objekteve të lidhura me të përfshin projektimin, ndërtimin, punimet elektrike, instalimin e pajisjeve dhe sistemit të kontrollit, shpronësimet, çmimet e tokës, mbikëqyrjen dhe shpenzimet operative. Në një vlerësim total që merr në konsideratë elemente si më sipër, kostot kapitale për tubacionet e sistemit të transmetimit të gazit në Shqipëri variojnë nga 286,5 -247,5 milionë euro (për skenarët 1 dhe 2 ku parashikohet ndërtimi i projektit “IAP“), dhe nga 194,1 – 162 milionë euro (për skenarët 3 dhe 4 ku nuk parashikohet ndërtimi i projektit “IAP“).
Megjithëse nëpërmjet ndërtimit të rrjetit kryesor të transmetimit të gazit nuk bëhet e mundur që gazi të shpërndahet në konsumatorët familjarë dhe në sektorin e shërbimeve, ndërtimi i këtij rrjeti do të bëjë të mundur furnizimin me gaz të konsumatorëve kryesorë industrialë dhe energjetikë sikurse janë më së pari TEC-i i Vlorës dhe termocentrale të tjera të mundshme. Ndërsa përsa i përket sektorëve kryesorë të industrisë ku do të ketë kontribut direkt të gazit do të jenë zona e Fierit, Vlorës, dhe Ballshit që paraqet një trekëndësh të rëndësishëm të konsumit të gazit, në të cilin janë lokalizuar dhe shumica e konsumatorëve të industrisë së naftës. Gjithsesi, duke konsideruar shpërndarjen e gazit dhe furnizimin e konsumatorëve familjarë me gaz si një tjetër objektiv të rëndësishëm strategjik, Ministria po përpunon politikat dhe masat të cilat mund të merren në mënyrë që të lehtësohet gazifikimi dhe të rritet probabiliteti i depërtimit të shpejtë të gazit. Këto politika dhe masa mund të ndahen në dy kategori kryesore; masat rregullatore dhe masa financiare mbështetëse për blerjen e instalimeve të rrjetit të brendshëm të gazit dhe për pajisjet e nevojshme që do të përdoren nga konsumatorët.
Duke iu referuar përsëri studimit të Master-Planit të Gazit dhe në konsiderimin e investimeve shumë të mëdha që nevojiten për ndërtimin e infrastrukturës kryesore të sektorit të gazit, si në transmetim po ashtu edhe në shpërndarje, Ministria po vlerëson mundësitë e tërheqjes së investitorëve strategjikë për këto investime, të cilët do të mund të angazhohen si në formën e partneritetit publik-privat, po ashtu edhe nëpërmjet marrjes me koncesion të sektorit të shpërndarjes së gazit. Një angazhim konkret për zhvillimin e tregut të gazit në Shqipëri parashikohet që të ketë edhe shoqëria “TAP AG“, në kuadër të marrëveshjes me Qeverinë Shqiptare. Në këtë kuadër me një rëndësi të veçantë konsiderojmë edhe ngritjen kohët e fundit të kompanisë shqiptare të gazit, “ALBGAZ sh.a. “, e cila do të veprojë si një operator i kombinuar i transmetimit dhe shpërndarjes së gazit, duke qenë partneri shqiptar në bashkëpunim me kompanitë që janë angazhuar apo do të angazhohen në sektorin e gazit në Shqipëri.
Ka pasur një vonesë që lidhej me aktet nënligjore dhe që është vënë në dukje shpesh nga Sekretariati. Ku jemi aktualisht me implementimin e modelit të ri të tregut të energjisë dhe a e kemi të mbyllur plotësisht kuadrin ligjor sot?
Pas miratimit të ligjit të ri për Sektorin e Energjisë Elektrike, akualisht mund të themi se është përmbyllur me sukses procesi i miratimit të akteve nënligjore për implementimin e këtij ligji. Në korrik të vitit 2016, Këshilli i Ministrave miratoi një nga aktet më të rëndësishme të kësaj reforme ligjore, siç është Modeli i ri i Tregut të Energjisë Elektrike, i cili përcakton qartë mënyrën e organizimit të këtij tregu dhe funksionet e secilit operator. Gjithashtu, Modeli i Tregut përmban në mënyrë të detajuar hapat për krijimin e Bursës Shqiptare të Energjisë, si një nga mekanizmat kryesore të këtij tregu, i cili do të bëjë të mundur rritjen e transparencës në tregtimin e energjisë, duke sjellë në këtë mënyrë përfitim të drejtpërdrejtë edhe për konsumatorët fundorë nëpërmjet konkurrencës në zgjedhjen lirisht të furnizuesit dhe pse jo, uljes së kostos së energjisë elektrike. Sigurisht, viti 2017 është një vit i rëndësishëm për implementimin e këtij kuadri ligjor dhe liberalizimit të tregut.
Ndërmorët një reformë që e konsideruat të thellë e të domosdoshme në sektorin e energjisë. Por si paraqitet aktualisht situata e tre kompanive publike, OST, OSHEE dhe KESH? A i kanë shlyer detyrimet respektive mes njëra-tjetrës këto kompani?
Reforma ligjore e shoqëruar me masat për shëndoshjen financiare të tre kompanive, solli përmirësimin e rezultateve financiare në tërësi për të gjithë sektorin e energjisë elektrike. Rritja e arkëtimeve dhe ulja e humbjeve në sistemin e shpërndarjes, bëri të mundur shlyerjen në masën 100 % të faturave korente ndaj KESH e OST, dhe në të njëjtën kohë, po punohet për një skedulim të borxheve të prapambetura midis tre kompanive, në mënyrë që të përfundojë ristrukturimi i plotë operacional dhe financiar i tyre. Nuk duhet harruar se kur erdhëm në krye të qeverisë e morëm sektorin në një krizë të thellë financiare. Humbjet në vitin 2013 ishin 45% ndërsa vitin 2016 e mbyllëm me një reduktim drastik dhe rekord, pasi për herë të parë ato zbritën në 28%. I njëjti tregues pozitiv paraqitet edhe për sa i takon arkëtimit të faturave korente. Nëse në vitin 2015 ishin arkëtuar nga faturat korente 54,9 miliardë lekë, në vitin 2016 ky tregues është mbyllur në 56,6 miliardë. Gjithashtu, në vitin 2016, për herë të parë pas 6 vitesh, në sajë të mirëmenaxhimit të Korporatës Elektroenergjitike, situatës së mirë hidrike dhe uljes së nivelit të humbjeve në rrjet është bërë e mundur që sasia e energjisë së prodhuar brenda vendit të jetë më e madhe se ajo e konsumuar, çka e bën bilancin energjitik të dalë pozitiv. Ky përmirësim i treguesve të kompanive publike, siç është bërë e njohur tashmë, ka patur një impakt pozitiv edhe tek prodhuesit privatë të energjisë elektrike, ndaj të cilëve ishte akumuluar një borxh prej 9.1 miliardë lekë, i cili tashmë është paguar tërësisht dhe situata me ta është kthyer në normalitetin kontraktual, duke paguar 100% vlerën e faturave korente. Siç e dini ne negociuam edhe një kredi të butë prej 218 milionë euro nga BERZH për ristrukturimin e portofolit të kredive afatshkurtra të Korporatës Elektroenergjitike. Thënë më thjeshtë, për të shlyer borxhet me normë interesi 4.4% ne arritëm të marrim një hua me 1%, çka i jep frymëmarrje financiare korporatës publike.
Është lakuar shpesh fakti që ecuria e sektorit ka qenë më e mirë nga sa ishte parashikuar në një skenar të moderuar. A do të thotë ky fakt se mund të kemi një rishikim të afërt për ulje të çmimit të energjisë për konsumatorin final? Ulja e TVSH-së për energjinë ka qenë premtim i juaj elektoral. Si do të zgjidhet problemi i madh mes kostos së prodhimit të energjisë dhe çmimit të shitjes? A keni ndonjë projekt se si mund të harmonizohet praktika e liberalizimit të këtij tregu me politika sociale në shitjen e saj te konsumatori?
Rimëkëmbja e sotme e sektorit elektroenergjetik e ka bërë të qartë për të gjithë reduktimin e humbjeve, rritjen e arkëtimeve, 6-fishimin e investimeve, reformat ligjore në përputhje me standardet më të mira evropiane. Mjafton të kujtojmë se barra e Buxhetit të Shtetit nga sektori elektroenergjetik në vitin 2013 ishte 21 miliardë lekë. Para këto që subvenciononin vjedhjen e energjisë, mospagesën e saj dhe blerjen me çmime të larta nga importi. Për vitin 2017, barra e sektorit në Buxhet është reduktuar në vetëm 2.5 miliardë lekë që shkojnë vetëm për investime. Ndërkaq, KESH, OSHEE dhe OST kanë nisur të shlyejnë vetë kreditë e marra me garanci qeveritare, pa e e rënduar Buxhetin edhe në këtë aspekt. Nga ana tjetër, kontributi direkt në Buxhet nga tri kompanitë e sektorit elektroenergjetik ka ardhur në rritje. Përtej asaj çka parashikon Buxheti i Shtetit, kompanitë me fondet e tyre janë duke kryer investime intensive në prodhim, transmetim dhe shpërndarje. Kështu, nëse në vitin 2013 investoheshin vetëm 4.6 miliardë lekë, plani i investimeve të vitit 2016 arriti në 24.1 miliardë lekë. Gjithsesi, duhet të kuptohet se çmimi i energjisë elektrike nuk është si një taksë që e ka në dorë qeveria me politikat e saj fiskale. Energjia është si çdo lloj “malli” tjetër që ka një kosto konkrete. Në një vit normal, kaskada e Drinit mbulon mesatarisht rreth 55-60% të nevojave të vendit për energji, ndërsa pjesa tjetër mbulohet me energji të blerë nga importi dhe ajo e blerë nga prodhuesit privat brenda vendit. Është kjo energji e prodhuar në kaskadën e Drinit, e cila shitet me çmim të ulët tek OSHEE, ajo që në fakt mban koston e energjisë për qytetarët shqiptarë në parametra të kontrollueshëm. Energjia e blerë nga importi dhe ajo e blerë nga hidrocentralet private brenda vendit ka një kosto shumë më të madhe. Për të arritur deri tek çmimi fundor, përveç kostos së prodhimit apo blerjes së energjisë nga importi përfshihet kostoja e transmetimit dhe ajo e shpërndarjes deri tek shitja. Çdo ndërhyrje politike për të ulur tarifa energjie pa ulur koston e energjisë çon në krijimin e hendekut dhe rikthen situatën aty ku ishte në kolaps financiar. Ajo çka ne po bëjmë është konsolidimi i sektorit, nëpërmjet shëndoshjes financiare, përmirësimit të gjendjes se rrjetit si rrjedhojë e investimeve në linja transmetimi e shpërndarje apo sisteme matjeje. Hapja e tregut, liberalizimi dhe ulja e kostove do të çojë patjetër tek ulja e çmimit të energjisë, pa cenuar sistemin dhe stabilitetin e tij.
Qeveria shqiptare e ka filluar prezantimin e sektorit me liberalizimin e tregut të energjisë brenda vitit 2018 parashikohet që 30% e tregut të jetë e liberalizuar. Konsumatorët e biznesit, me përjashtim të atyre të lidhur në tensionin e ulët, do të dalin gradualisht në treg të lirë duke e blerë energjinë në treg dhe jo detyrimisht tek OSHEE. Krijimi i tregut të hapur dhe ndërtimi i linjave të interkoneksionit krijon mundësinë që bizneset të gjejnë çmimin më konkurues të energjisë në tregun vendas apo atë rajonal e më gjerë evropian. Ndërkaq, përsa u takon konsumatorëve familjarë, për shkak të specifikave që lidhen me nivelin e jetesës, shteti nëpërmjet detyrimit të shërbimit publik, do të vazhdojë të ketë rolin e tij për të mbajtur nën kontroll çmimin. Kjo do të bëhet e mundur kryesisht duke shfrytëzuar burimet aktuale të kaskadës së Drinit, e cila ka një kosto më të ulët të prodhimit të energjisë elektrike.
Ju keni nënshkruar fillimisht një memorandum me “Telecom Albania” për matësat smart, por duket se ky projekt nuk do të vazhdohet më me këtë kompani. Kur mendoni se do të aplikohet partneriteti për këtë shërbim?
OSHEE ka ndërmarrë një sërë hapash për të përfshirë teknologjinë e fundit me synim modernizimin e shërbimit ndaj klientit. Së pari u liberalizuan kanalet alternative të pagesës së faturave të energjisë. Sot janë mbi 200 mijë pagesa çdo muaj përmes kanaleve alternative çka ka shmangur radhët në Qendrat e Kujdesit ndaj Klientit (QKK). Një tjetër hap ishte vendosja e info-kioskave, sportele elektronike ku mund të kryhen veprimet nga konsumatori. Në të njëjtën formë janë implementuar edhe OSHEE Mobile; teknologjia e gjurmimit të ankesë/kërkesës; sistemi i menaxhimit të radhës. Këtë vit janë montuar mbi 55 mijë matës elektronikë dhe janë pajisur të gjithë konsumatorët me matësa, duke zhdukur faturimin aforfe. Po pilotohet me zona të caktuara sistemi i leximit online të matësit dhe transmetimi i të dhënave me Bluetooth përmes pajisjeve PDA. Instalimi i matësave inteligjentë është një proces që do të dojë kohën e vet, por do të fillojë të zbatohet me disa zona pilot për të parë dhe ecurinë e tij e më pas shtrirë më gjërë në territor. Jemi duke kryer analizat e nevojshme, do jemi të kujdesshëm për të mundësuar një investim i cili të jetë sa më eficent, por edhe të mos rëndojë shumë financat e operatorit të shpërndarjes.
Në raportin “Doing Business” të Bankës Botërore, një nga çështjet ku Shqipëria ka renditjen më negative është aksesi tek energjia elektrike. Në Shqipëri, lidhja e energjisë ka afate të gjata dhe kosto të larta. Kjo është një gjendje e konstatuar prej vitesh, por ende nuk ka përmirësime thelbësore. Pse?
Në raportin “Të bësh biznes 2017”, vendi ynë renditet i 58-ti nga 190 shtete që Banka Botërore monitoroi këtë vit, çka përbën një përmirësim të dukshëm me 32 vende në krahasim me vitin e kaluar. Tre reformat që bënë të mundur këtë vlerësim pozitiv ishin lejet e ndërtimit, energjia dhe pagesa e taksave. Në marrjen e energjisë, raporti nënvizon se eficenca e procesit të marrjes së energjisë është përmirësuar. Raporti evidenton se koha për marrjen e një lidhje të re energjie u shkurtua me 43 ditë, duke përmirësuar renditjen në këtë indikator me 6 vende. Këtu dua të sqaroj çfarë ndodh realisht me afatin e lidhjes së energjisë për biznesin. Aktualisht, biznesi i ndërton vetë kabinat dhe rrjetin elektrik, me çmimet e tregut. Në përfundim të këtij procesi, OSHEE duhet japë aprovimin për lidhjen me energji, por duke qenë se tregu i ndërtimit të kabinave dhe i rrjetit elektrik, është i lirë dhe i parregulluar, standardi dhe cilësia e pajisjeve linte shumë për të dëshiruar, duke sjellë në jo pak raste djegie të pajisjeve, transformatorit, avari në linja dhe mungesë te energjisë elektrike. Mungesa e sigurisë teknike dhe e standardit të duhur te kabinat e ndërtuara nga privati, sillte mosaprovim nga OSHEE për lidhjen në rrjet dhe për rrjedhojë, Banka Botërore e regjistronte si vonesë në procedurën e miratimit. Gjithashtu, në shume raste edhe pse nga OSHEE ishte dhënë miratimi për ndërtimin e kabinës, biznesi për shume arsye nuk e ndërtonte atë deri në disa muaj. Kjo ndikon negativisht në indikatorët “Doing Business” duke e përllogaritur të gjithë kohën si kohë të nevojshme për furnizimin me energji elektrike.
Ndërtimi i hidrocentraleve, edhe më parë, por edhe tani, është pasuar me reagime të shumta për shkak të ndikimeve në mjedis. A ka projekte aktuale për ndërtimin e hidrocentraleve të reja?
Shqipëria e ka të domosdoshme që të shtojë kapacitetet gjeneruese në harmoni me arritjen e objektivit të konsumit të burimeve të rinovueshme të energjisë dhe sigurisë së furnizimit. Gjatë vitit 2013 dhe 2014, marrë së bashku, kostoja financiare e energjisë së importuar ka qenë në shifrat 300 milionë euro. Vetëm gjatë vitit 2015, në sajë edhe të reformave të ndërmarra nga qeveria në sektorin energjetik është bërë e mundur që kostoja financiare e importit të ulet. Dihet se Shqipëria është një vend, i cili ka nevojë për zhvillim të mëtejshëm dhe pret rritje ekonomike edhe përmes investimeve të huaja. Raportet e institucioneve financiare vendase e të huaja e theksojnë se investimet kryesore të huaja në Shqipëri aktualisht janë në sektorin energjetik. Çështja që shtrohet është gjetja e një ekuilibri mes zhvillimit ekonomik të vendit e mbrojtjes së mjedisit dhe qeveria po bën pikërisht këtë.
Nga viti 2007 deri në korrik 2013 janë nënshkruar 175 kontrata koncesionare për ndërtimin e 505 hidrocentraleve. Nga gjithë ky numër, sot rezultojnë të ndërtuara dhe prodhojnë energji vetëm 122 hidrocentrale. Një pjesë tjetër është në fazë ndërtimi ndërsa rreth gjysma e kontratave të lëshuara janë ende në letër. Referuar qeverisjes sonë, nga fillimi i vitit 2014 deri më tani janë nënshkruar vetëm 9 kontrata koncesionare ndërsa janë në proces vlerësimi edhe 3 të tjera. Ndërkaq, në zbatim të detyrimit ligjor, për hidrocentralet që nuk janë objekt koncesioni, MEI ka pranuar aplikime për hidrocentrale me kapacitet të vogël deri në 2 MË, por nuk ka dhënë asnjë autorizim përfundimtar për ndërtimin e tyre. Të gjitha aplikimet janë në fazën e shqyrtimit paraprak dhe të periudhës së kryerjes së studimeve të thelluara. Pas auditimeve të kryera, MEI ka revokuar disa kontrata për mospërmbushje të detyrimeve të parashikuara nga ana e subjekteve koncesionare.
Ka patur dhe ka ende akuza ndaj kompanive që operojnë në tregun e hidrokabureve, kryesisht për mënyrën si i merrnin koncesionet, por edhe për shmangien nga detyrimet. Si paraqitet situata aktuale, a ka ndryshime?
Ju e dini se prej shumë vitesh, sektori i hidrokarbureve karakterizohej nga veprimtari jashtë monitorimit efikas shtetëror në sektorin e prodhimit të naftës e të gazit, duke dëmtuar interesin publik dhe të ardhurat në Buxhetin e Shtetit. Për herë të parë bëmë të mundur që të zhvillohen procese serioze auditimi, planet e punës dhe investimeve të kompanive që operojnë në fushën e kërkim-prodhimit kaluan nëpër procedura transparente dhe të përgjegjshme aprovimi. Pikërisht, për shkak të monitorimit shumë më rigoroz nga strukturat e shtetit, patëm një ballafaqim me prodhuesin kryesor të naftës në vend dhe sot jemi në një proces arbitrazhi ku po ballafaqohen pretendimet e dy palëve për kostot e rikuperueshme hidrokarbure. Ndërkaq, në rastin e disa vendburimeve të tjera ku është konstatuar mospërmbushje e detyrimeve ndaj shtetit është avancuar me fillimin e procedurave për prishjen e njëanshme të kontratave. Një element tjetër mjaft i rëndësishëm është ndryshimi që ne i bëmë modelit ekonomik të kontratave hidrokarbure. Përmirësimi i këtyre termave, jep efektet që do të shtrihen për shumë vite. Për herë të parë, po ju them se kemi vënë nivelin tavan të shpenzimeve. Deri më tani, në fuçinë e parë të naftës shteti merrte vetëm 10% rentë dhe pak pjesë ndarje prodhimi, zakonisht 1 ose 2%. Me modelin e ri që kemi vendosur, kostot hidrokarbure njihen deri në 90% të naftës dhe 10% ekstra të naftës, flas për kontratat e reja që kemi negociuar, ndahen mes kontraktorit dhe shtetit shqiptar. Do të thotë që shteti shqiptar fillon merr që në fuçinë e parë fitim nga nafta që i përket vendit tonë. Këto janë arritje të dukshme edhe me impakte afatgjata pozitive për ekonominë, por mbi të gjitha për interesin publik në Buxhetin e Shtetit.
Po situata në sektorin e minierave, si paraqitet?
Deri në vitin 2013, sektori i industrisë minerare karakterizohej nga veprimtari jashtë monitorimit shtetëror duke dëmtuar imazhin mirëqeverisës dhe seriozitetin e shtetit. Puna në miniera kryhej jashtë rregullave dhe standardeve për sigurinë në punë, duke dëmtuar shëndetin e punonjësve. Shkalla e përpunimit të mineraleve ishte mjaft e ulët dhe eksportet ishin kryesisht në mineral bruto, duke dëmtuar interesin publik. Investimet në sektorin minerar ishin pothuajse inekzistente, duke bërë që ky sektor të kishte një prapambetje teknike e teknologjike kolosale, çka reflektohej në produktivitetin minimal të tij. Gjatë këtyre dy viteve e gjysmë qeverisje shtuam me 80% numrin e inspektimeve të kryera për garantimin e sigurisë në punë në zonat minerare. U rritën ndjeshëm kontrollet për zbatimin e projekteve teknike, digjitalizimin e projekteve të shfrytëzimit vjetor dhe inspektimet në terren. Iu dha zgjidhje problemit të trashëguar të mbivendosjeve dhe rrugëkalimeve në zonat minerare. Kjo masë ndikoi konsiderueshëm në shmangien e konflikteve mes subjekteve operuese dhe drejtpërdrejt rriti sigurinë në punë. U anuluan rreth 250 leje minerare, u mbyllën mbi 170 galeri të braktisura dhe u bllokua aktiviteti në 62 zona të rrezikshme, kryesisht në Bulqizë e Batër. Nxitëm zhvillimin e industrisë përpunuese dhe pasuruese të mineraleve në vend, duke garantuar ciklin e plotë të përpunimit të mineralit të kromit. Qeveria miratoi ndryshimet në ligjin minerar që sigurojnë hapësirat lehtësuese për subjektet, zhvillimin normal të veprimtarisë së tyre dhe tërheqjen e investitorëve të huaj. Gjithashtu, u morën masat e duhura për të përmirësuar kuadrin ligjor për mbrojtjen e mjedisit dhe masat konkrete të monitorimit të tij. Miniera e Bulqizës kishte humbur perspektivën duke rrezikuar tashmë të kishte jo më shumë se dy vjet jetë. Hapja e thellësisë (siç njihet Pusi 9) dhe hapja e tranverbankut të Klosit duhet të kishte përfunduar brenda vitit 2008, por në fakt nuk kishin filluar.
Uzina e Ferrokromit në Burrel ishte në konservim dhe as këtu nuk ishte investuar për t’u vënë në punë. Uzina e Ferrokromit në Elbasan punonte me kapacitet të reduktuar, me një furrë me eficencë të ulët. Investimet u gjetën në fazën e tyre fillestare të inicimit nga koncesionari i ri.
Qeveria e re ndërmori një kontroll dhe monitorim intensiv të të gjithë sektorit minerar përfshirë e në veçanti edhe marrëveshjet koncesionare në shfrytëzimin e mineralit të kromit. Përmes edhe deri masave pezulluese për një periudhë të caktuar, qeveria detyroi koncesionarin që të fillonte zbatimin intensiv të programit të investimeve.
Aktualisht, kemi të bëjmë me një koncesion që punëson mbi 1000 persona dhe operon me kapacitet të plotë në sektorin minerar shqiptar, pavarësisht luhatjes së fortë në përkeqësim të çmimeve të mineraleve në tregjet ndërkombëtare. Pavarësisht kësaj situate të pafavorshme, prodhimi i mineralit të kromit në Bulqizë u rrit ndjeshëm. Nëse në vitin 2013 prodhoheshin 268,120 tonë krom, në fund të vitit 2015 prodhimi në Bulqizë arriti në 424,486 tonë.
Në përputhje edhe me objektivin e programit të qeverisë për zhvillimin e industrisë përpunuese dhe për krijimin e ciklit të plotë brenda vendit është bërë e mundur që të rritet ndjeshëm prodhimi i ferrokromit. Vënia në shfrytëzim e fabrikës së ferrokromit Burrel dhe përpunimi i skorjeve të ferrokromit në Elbasan çoi prodhimin e ferrokromit në Shqipëri për vitin 2015 në 43,669 tonë. Mjafton të kujtojmë se në vitin 2013 niveli i prodhimit të ferrokromit në vend ishte vetëm 24,018 tonë. Ky përmirësim në prodhimin e kromit dhe ferrokromit u bë i mundur vetëm në sajë të masave dhe kontrolleve të ushtruara nga ana e institucioneve përgjegjëse shtetërore. Në dy vjet e gjysmë u realizuan investime në vlerë 10,6 milion USD, aq sa koncesionari i mëparshëm kishte investuar në 12 vjet. Kjo bëri natyrisht që objektet koncesionare të rikthehen në eficencë të plotë, por edhe t’u kthehet përspektiva thuajse e humbur plotësisht. Në minierën e Bulqizës është realizuar tashmë thuajse i tërë volumi i punimeve të pusit nr.9 të thellësisë. Në përfundim të këtij investimi, do mund të zgjatet jeta e minierës për të paktën edhe 30 vite të tjera duke hapur rezerva të reja minerare. Është kryer një investim i rëndësishëm në minierën e Qafëbuallit e cila është rikthyer në punë duke prodhuar tashmë 1500 tonë krom/muaj. Pavarësisht vështirësive teknike, ka ecur me ritme të kënaqshme hapja e traverbankut të Klosit, një prioritet për shmangien e rrezikut të përmbytjeve të minierës. Aktualisht është përfunduar rikonstruksioni i tranverbankut ekzistues, janë realizuar të gjitha punimet sipërfaqësore dhe janë hapur 283 metra linear tranverbank i ri. Pavarësisht se koncesionari kishte ezauruar që prej vitit 2012 detyrimet e investimeve në Uzinën e Ferrokromit Elbasan, gjatë viteve 2014-2015 u investua për kalimin e dy furrave në dopio nivel çka mundësoi punën me kapacitet të plotë. Në qershor 2015 u vu në punë edhe furra nr.2 ndërsa Uzina e Ferrokromit në Burrel tanimë është funksionale, duke prodhuar mineral të cilësisë së lartë për tregun evropian.
Pati shumë debate për akcizën ndaj gazit. Ndërkohë, në treg është konstatuar rritja e çmimit të gazit. Mendoni se akciza ndaj tij redukton një mundësi alternative për konsumatorët, meqë solli rritje çmimi?
Masa e propozuar dhe më pas miratuar në paketën fiskale për diferencimin e akcizës ka të bëjë vetëm me gazin që tregtohet për automjete, pra gazin në pikat e autogazeve. Gazi i cili tregtohet për konsumin familjar apo atë industrial nuk preket nga vendosja e akcizës. Kjo masë është pjesë e përpjekjes për disiplinimin e tregut të bombolave të gazit për konsumatorët familjarë, me synim rritjen e sigurisë dhe shmangien e ngjarjeve të rënda që kanë çuar edhe në humbje jetësh njerëzore. Konsumatori familjar duhet t’u drejtohet pikave përkatëse të tregtimit të bombolave të gazit dhe të dorëzojë bombolën boshe e të marrë një bombol të mbushur, pra jo të kryejë mbushje bombole. Në këtë mënyrë do të marrë një bombol të kolauduar çka garanton sigurinë e jetës, do të respektojë ligjin, por dhe do të marrë një produkt pa akcizë. Nëse konsumatori familjar do t’i drejtohet një pike autogazi për të mbushur bombolën do të tentojë drejt një shkeljeje ligjore, do të rrezikojë jetën për shkak të mungesës së kolaudimit të bombolës, por dhe do të blejë një produkt më të shtrenjtë me akcizë. Të gjitha strukturat shtetërore, përfshirë Autoritetin e Konkurencës, Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve, Drejtorinë e Doganave dhe Inspektoratin Shtetëror, Teknik e Industrial janë të angazhuara për të monitoruar në vijimësi tregun e për të ndëshkuar çdo lëvizje spekulative. Por, MEI është duke ndërmarrë edhe hapa të tjerë ligjorë në drejtim të garantimit të një cilësie më të lartë të gazit dhe një efektiviteti më të lartë të shfrytëzimit të tij, me qëllimin që pjesa përfituese në konsum të jetë më e madhe se deri më sot.
Në mbyllje të vitit të kaluar, në Zharrëz të Fierit pati përsëri lëkundje. Ju urdhëruat ndalimin e menjëhershëm të injektimit të ujit teknologjik në puset e lokalizuara përreth fshatit Zharrëz, dhe u ngrit dhe një grup ndërministror pune për vlerësimin e situatës së krijuar nga lëkundjet e tokës në këtë zonë. A ka ndonjë raport paraprak për këtë situatë dhe ndonjë projekt për ta normalizuar përfundimisht këtë zonë?
Për këtë problem është ngritur një Grup Ndërinstitucional Pune me Urdhër të Kryeministrit, për vlerësimin e situatës së krijuar nga lëkundjet e tokës dhe për përcaktimin e masave që duhet të merren në varësi të shkaqeve. Paraprakisht ishte ngritur një grup tjetër pune me Urdhër të Ministrit të Energjisë për vlerësimin e kërkesave plotësuese të IGJEUM për të mundësuar realizimin e një monitorimi, vlerësimi dhe dokumentimi të vazhdueshëm të aktivitetit sizmik në vendburimin e Patos-Marinzës dhe rreth tij. Këto Grupe Pune po punojnë për të përcaktuar ne mënyrë shkencore shkaqet e prejardhjes së lëkundjeve te ndodhura pranë fshatit Zharrëz ne Fier. Aktualisht janë instaluar 2 (dy) sensorë sizmikë (sizmometra), te lokalizuar ne afërsi te vendit ku kane ndodhur lëkundjet, te cilët e bëjnë te mundur marrjen e informacionit dhe dërgimin e këtij informacion tek serverat e IGJEUM. Ndërkohë është ne proces instalim i tre sensorëve të tjerë si dhe tre stacioneve akselerografike për të përcaktuar në mënyrë të saktë vendin e lëkundjeve si dhe parametrat e tjerë fizikë të tyre. Ndërkohë nga ana e MEI është urdhëruar kompania “Bankers Petroleum“, të ndërpresë procesin e injektimit të ujit në shtresë në zonën e fshatit Zharrëz deri në momentin e përcaktimit të shkaqeve të këtyre lëkundjeve. Grupi i punës është në proces dhe në varësi të raportit që do dalë do të propozohen masa konkrete që duhet të ndërmerren për zgjidhjen përfundimtare të situatës së krijuar nga lëkundjet e tokës në këtë zonë.
Bisedoi: Urim Bajrami/SCAN Magazine
Ka dalë në treg numri i ri i "Scan Magazine". Ndër të tjera do të mund të lexoni:Energji, hapja e tregut ul çmimet?Primi i sigurimit tatohet më pakMarrëdhënia e re biznes-tatimeEkonomia sipas Donald TrumpFatura e votimit elektronik
Posted by RADIO TELEVIZIONI SCAN on Monday, February 13, 2017
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.