Ekskluzive/qeveria “centralizon” ujësjellësit – “51% e aksioneve do i kalojnë Ministrisë së Infrastrukturës, bashkitë do ndajnë 49% të tyre”!

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë do të zotërojë 51% të aksioneve të Subjekteve me Kompetenca të Përbashkëta, që do të jenë kompani të krijuara nga bashkimi i disa ujësjellësve. Televizioni SCAN ka siguruar projektvendimin e Këshillit të Ministrave, për Politikat Kombëtare për Riorganizimin e Sektorit të Furnizimit me Ujë dhe të Largimit, Trajtimit dhe Përpunimit të Ujërave të Ndotura, që i hap rrugën agregimit të shoqërive UK.
Aktualisht, aksionet e ujësjellësve zotërohen në masën 100% nga bashkitë ku ato ushtrojnë aktivitetin, ndërkohë që sipas propozimit të qeverisë, Njësitë e Qeverisjes Vendore, që do të lidhin marrëveshje për riorganizimin e shoqërive që janë në pronësi të tyre do të zotërojnë jo më shumë se 49% të aksioneve.
Po ashtu, sipas projektvendimit, shlyerja e vlerës nominale të aksioneve që do të zotërohen nga MIE do të kryhet duke njohur investimet në proces, që janë financuar nga buxheti i shtetit dhe me anë të investimeve kapitale të ardhshme që qeveria do të ndërmarrë në vitet në vijim, në secilën prej këtyre shoqërive ose nëpërmjet shuarjes me kompensim të detyrimeve që Shoqëritë UK kanë në momentin e nënshkrimit të marrëveshjes.
Kapitali themeltar për secilën SKP që do të kirjohet nuk do të jetë më i vogël se 10 mln lekë. Sipas relacionit që shoqëron projektvendimin e qeverisë, kjo reformë vjen për shkak të performancës së dobët komerciale e kombinuar me nivele të larta të ujit, ku norma e ujit pa të ardhura është 65.5%, ndërsa humbjet financiare dhe borxhet e kompanive janë të larta.
Po ashtu, shërbimi është i fragmentarizuar, pasi janë 57 shoqëri, teksa vetëm Tirana dhe Durrësi mbulojnë rreth 40% të konsumtorëve. Nga ana tjetër, sipas relacionit objektivat kryesorë të reformës janë: Furnizimi i pandërprerë me ujë për zonat urbane dhe gradualisht dhe për zonat rurale, si dhe përmirësimi i qëndrueshmërisë financiare për shoqëritë UK, duke përfshirë ndër të tjera harmonizim gradual i tarifave në zonën e shërbimit sipas ndarjeve territorial të bashkive.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.