Ekskluzive/ Raporti i kompanisë së prenotimeve online “Airbnb” për Shqipërinë

SCAN ka siguruar në mënyrë ekskluzive raportin për Shqipërinë të AirDNA për strukturat akomoduese në platformën e rezervimeve online Airbnb. Ky raport jep të dhëna për numrin e njësive, kushtet të cilat ato ofrojnë, çmimet për natë qëndrimi, si edhe fitimin vjetor.
Krahasuar me vitin e kaluar, Shqipëria prezantohet këtë vit me një numër të shtuar të njësive akomoduese që ofrohen për turistët vendas e të huaj, si pasojë edhe të një “bum-i” regjistrimesh nga ana e bizneseve vendase.
Në Shqipëri renditen 2138 njësi akomoduese të gatshme për prenotim, shumica prej të cilave ofrojnë të gjithë apartamentin apo shtëpinë për turistët.

Pjesa më e madhe e këtyre pronave është e përqendruar në zonat bregdetare. Konkretisht, në Jugun e vendit janë 818 listime dhe në Durrës dhe Gjirin e Lalëzit janë 134 listime. Megjithatë listime, ndonëse më të pakta në numër, ka edhe në Tiranë, Korçë dhe Shkodër.
Apartamentet mbizotërojnë ndaj shtëpive, si struktura akomoduese, ndërsa në tipologjitë e apartamenteve kryesojnë ata 1+1
Prenotimet dhe çmimi për natë
SCAN mëson se gjatë muajve të verës strukturat akomoduese shqiptare kanë një performancë shumë pozitive, ku 41% e njësive shfrytëzohen totalisht gjatë muajit Korrik dhe 48,5% gjatë muajit Gusht. Pra kjo do të thotë se nëse një dhomë është e listuar për 31 ditë gjatë këtij sezoni, ajo me shumë gjasa do të jetë në shfrytëzim për gati gjysmën e kësaj kohe, ose 14 ditë.
Ndërsa gjatë pjesës tjetër të vitit këto njësi akomodimi kanë një përqindje prenotimi prej rreth 32%.

Si një vend me klimë mesdhetare, Shqipërisë ka një verë më të zgjatur se në vendet e tjera, çka do të duhet të zgjaste edhe sezonin turistik, sidomos nëse kombinojmë klimën me vlerat arkeologjike dhe atraksionet e tjera turistike. Por ky nuk është rasti, pasi vetëm 8,5% e pronave arrijnë të jenë aktive për 4-6 muaj. Pothuajse gjithë pjesa tjetër, shfrytëzohen vetëm në periudhën Qershor-Korrik-Gusht.
Mesatarisht gjatë vitit çmimi për banesë për një natë është rreth 33$, ndërsa gjatë verës mesatarja ngrihet në 72 dollarë.
Për muajin më të nxehtë të vitit, Gushtin, strukturat akomoduese në Shqipëri, të listuara në Airbnb, llogaritet të fitojnë së bashku rreth 72 mijë dollarë.
Por arsyet pse një njësi banesë apo apartament mund të fitojë më shumë se një tjetër variojnë nga disa faktorë si: vendndodhja, numri i dhomave dhe se sa persona mund të akomodojë. Psh: apartamentet me një dhomë që kanë mundësi akomodimi për 4 persona fitojnë 20% më tepër se ato që ofrojnë akomodim për 2 persona.
Më poshtë SCAN ka renditur edhe një mesatare fitimi sipas tipologjisë së apartamentit nga Shtatori 2016 deri në Prill 2017, 8 Muaj:
Durrës | Jug | Korçë | Shkodër | |
Dhomë e ndarë | 75$ | 11$ | 45$ | 0$ |
Private | 274$ | 877$ | 1105$ | 1490$ |
Studio | 12$ | 1135$ | 170$ | 0$ |
1 Dhomë | 1990$ | 2943$ | 768$ | 1376$ |
2 Dhoma | 2579$ | 2451$ | 2066$ | 1035$ |
3 Dhoma | 1496$ | 3449$ | 575$ | 200$ |
4+ Dhoma | 627$ | 1410$ | 223$ | 580$ |
Megjithatë këto shifra tregojnë për një mesatare të të gjithë subjekteve të listuara për një periudhë tetë mujore.
Njësitë të cilat performojnë më mirë gjatë gjithë vitit dhe kanë një raport të mirë vlerësimesh arrijnë të fitojnë mesatarisht mbi 3 mijë dollarë në vit, me njësi të veçanta të cilat kalojnë 11 mijë dollarë fitime në Jug dhe 7 mijë dollarë në Durrës. Ndërsa në Shkodër dhe Korçë, fitimi maksimal është 1300 dhe 2000 dollarë.
Kushtet e ofruara
Sa i takon kushteve të ofruara nga apartamentet apo banesat, Jugu i vendit është i pajisur më mirë me shërbimet dhe elementët e nevojshëm për pushuesit si: ajri i kondicionuar, WiFi, elektroshtëpiaket për gatim, etj.
Shërbimi/Pajisja | Jugu i Shqipërisë | Durrësi |
Ajër i Kondicionuar | 81% | 63% |
WiFi | 69% | 63% |
Televizor kabllor | 23% | 22% |
Palestër | 1% | 8% |
Pishinë | 5% | 6% |
Ngrohje | 46% | 53% |
Lejohen kafshët shtëpiake | 31% | 31% |
Oxhak | 5% | 9% |
Kuzhinë e pajisur | 85% | 83% |
Lavatriçe | 65% | 59% |
Parking falas | 73% | 75% |
Vaskë | 9% | 7% |
Mëngjesi falas | 9% | 15% |
Pronat në pjesët e tjera të vendit, me përjashtim të Tiranës janë relativisht më të varfra në kushtet e ofruara, por duke qenë se tipologjia e turistëve është e ndryshme, oferta është e përshtatur. Konkretisht 50% e tyre ofrojnë mëngjesin falas, 1 në 5 banesa kanë oxhak, ndërsa 2 në 5 banesa lejojnë edhe kafshët shtëpiake brenda.
Vizitorët duket se janë shumë të kënaqur me atë çfarë ofrojnë njësitë akomoduese në vendin tonë.
Në raportin e disponuar nga SCAN rezulton se 43% e pronave në Durrës janë vlerësuar me 5 yje, ndërsa vetëm 4% kanë marrë vlerësim më të ulët se 4 yje. Komunikimi, shprehen vizitorët, është aspekti më i mirë i ofertës së pronave të listuara në këtë zonë, por edhe pastërtia dhe vlera për paratë e shpenzuara janë vlerësuar si shumë pozitive.
Ndërkohë, në Jugun e vendit, numri i lartë i listimeve ndikon duke zbehur paksa vlerësimet pozitive të mëparshme. 29% e pronave janë vlerësuar me 5 yje, 9% me 4 yje e gjysmë dhe 18% me 4 yje. Vetëm 11 prona në Jug janë vlerësuar me 3 yje. Edhe këtu është komunikimi aspekti më pozitiv, ndjekur nga pastërtia, vlera për paratë e shpenzuara dhe vendndodhja.
Megjithatë eksperienca e pritësve mbetet e limituar, pasi vetëm 28% kanë marrë mbi 10 vlerësime nga vizitorët e mëparshëm. 34,5% kanë vlerësime të pakta, ndërsa pjesa më e madhe 37,5% nuk kanë asnjë vlerësim.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.