Ekskluzive/ Zbulohet paketa fiskale 2019 – Tatimi mbi dividendin 8%, ulet tatimi mbi të ardhurat, transporti publik 10% TVSH
Ministria e Financave ka bërë gati paketën fiskale për vitin 2019. Televizioni SCAN ka arritur të sigurojë një kopje të dokumentit i cili pritet të jetë përfundimtar pas konsultimeve me grupet e interesit dhe komisionet parlamentare.
Ndryshimi më i qenësishëm është ulja e tatimit mbi dividendin në nivelin 8% nga 15% që është aktualisht. Sipas kësaj pakete aplikimi i këtij niveli të ri do të vlejë dhe për fitimet e pashpërndara të vitit 2017.
Ndryshim tjetër i rëndësishëm është rritja e fashës së personave që u tatohen të ardhurat me 13% nga 130 mijë lekë në nivelin e ri të 150 mijë lekë. Sipas relacionit të ministrisë ky ndryshim do të prekë 15400 individë.
Me tej paketa e re fiskale propozon dhe uljen e TVSH për transportin publik në ato automjete që kanë kapacitet mbi 10 persona. Me tej paketa parashikon dhe ulje në 6% të furnizimit të shërbimit të reklamave në media audiovizive.
Gjithashtu paketa sugjeron dhe ndryshime të tjera në nivelin e akcizës për duhanin si dhe tatimin mbi fitimin nga lojërat e fatit. Në vijim SCAN do të zbardhë me detaje dhe taksat e tjera që do të ndryshojnë.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.