Ekspertët: Miniera e Bitcoin po vë në rrezik komunitetet e pa zhvilluara e të cenueshme!
Rritja e kriptomonedhave mund të ndikojë në mënyrë disproporcionale tek ata që janë më të rrezikuar nga kriza klimatike, ka zbuluar një studim i ri.
Infrastruktura dixhitale që qëndron pas kriptomonedhës më të njohur, Bitcoin, kërkon po aq energji sa e gjithë Tajlanda. Gjurma e saj e karbonit është tani më e madhe se industria e minierave të arit, duke u rritur nga 22 megaton ekuivalente CO2 dy vjet më parë në 90 megaton në vit në 2021.
Kjo gjurmë në rritje së bashku me ndikimet e saj ekonomike dhe mjedisore po i vë në rrezik komunitetet në vijën e parë të ndryshimit të klimës, argumentojnë Peter Howson nga Universiteti Northumbria dhe Alex de Vries nga Digiconomist.
Punimi i tyre i ri “shikon ndikimin joproporcional që ato aktivitete kanë tek më të varfrit në botë dhe jo tek ata që po marrin pjesë në llojin e spekulimeve të Bitcoin kryesisht në Veriun Global”.
A mund ta zgjidhim problemin?
Studimi gjithashtu parashtron një sërë zgjidhjesh për të frenuar ndikimin mjedisor të kriptomonedhave. Ai thotë se zbatimi i kufizimeve në minierat e tyre do të ishte një “fitore e lehtë” në përparimin e synimeve të zhvillimit të qëndrueshëm global dhe objektivave të OKB-së për ndryshimin e klimës.
Disa vende tashmë po shqyrtojnë këtë – duke përfshirë Suedinë dhe Norvegjinë në Europë. Kina kohët e fundit i bëri të paligjshme transaksionet e kriptomonedhave, por minierat janë zhvendosur në vendin fqinj të Kazakistanit.
Kjo tregon nevojën për një ndalim të koordinuar global për të trajtuar realisht problemin.
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.