Ekspertët në 60 Minuta: Bashkitë kanë humbur 2.2 miliardë lekë nga pandemia
Ecuria e Reformës Territoriale Admininstrative dhe problematikat e saj ishte tema e diskutimit këtë të premte në emisionin “60 Minuta” nga gazetari Arbër Hitaj në RTV SCAN. Të ftuar në studio ishin Adelina Farrici Drejtoreshë Ekzekutive, Shoqata për Autonomi Vendore, ish-kryetare e Bashkisë Burrel dhe Agron Haxhimali Drejtor i Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë.
Farrici dhe Haxhimali thanë se Bashkitë po përballen me vështirësi të mëdha ekonomike për shkak të Pandemisë sidomos me mungesën e të ardhurave. Deri më tani ata llogarisin që janë 2.2 miliardë lek që mungojnë në arkat e Bashkive, por lajmi i mirë është se nuk do të ketë reduktim të buxhetit, pra buxheti është i njëjtë me atë të vitit të kaluar. Farrici tha se Bashkitë e mëdha janë më të prekurat por mundësitë për të rigjeneruar të ardhurat i kanë më të mëdha. Haxhimali u ndal në shifra konkrete duke theksuar se 13 Bashkitë më të mëdha të vendit kanë një humbje prej 1.3 milardë lekë dhe 37 Bashkitë e tjera kanë një humbje prej 1.8 miliardë lekë. Ndërkohë Haxhimali theksoi se tek procesi i rindërtimit nga tërmeti duhej që qeveria t’i kishte dhënë më shumë kompetenca Bashkive dhe jo të merrte të gjithë procesin në dorën e saj. Ndërkohë të pyetur për menaxhimin e Pandemisë nga ana e Bashkive Farrici tha se Bashkitë ngritën grupet vullnetare për të ndihmuar moshat e treta dhe familjet në nevojë, të njëjtin qëndrim mbajti edhe Haxhimali i cili tha se kanë bërë një punë shumë të mirë në fazën e parë të Pandemisë.
Si po e përballojnë Bashkitë Pandeminë?
Agron Haxhimali:
Përsa i përket pandemisë, ne u gjetëm të gjithë të papërgatitur dhe nuk fajësonim as kryetar as këshill, por kanë bërë një punë shumë të mirë në fazën e parë në dy drejtime që dua t’i nënvizoj. Sektorin social e mbuluan shumë mirë pasi u gjendën në çdo familje, tek çdo gjysh e gjyshe si kryetar i Tiranës, tek çdo familje në zona të thella malore siç bëri Shkodra apo të gjitha Bashkitë e tjera. Të them të drejtën u angazhuan edhe me të gjitha burimet e veta pasi, për hir të së vërtetës, me të dy paketat që dha qeveria nuk dha ndonjë lek për pushtetin vendor dhe ky është një rast i rrallë. Në vendet e rajonit qeveritë kanë disbursuar, pa shkuar në Kosovë që ka disbursuar të gjithë shpenzimet për COVID, qeveria jonë nuk e bëri. Pjesa e rëndësishme pastaj, për herë të parë Pandemia nxiti Bashkitë për marrjen e masave për dezinfektimin e rrugëve, shesheve, parqeve, ambienteve të shkollave të cilat i siguruan me fondet e veta. Këto dy shërbime i kanë bërë bashkitë. Por mos të harrojmë që impakti i COVID-19 u ka shkaktuar Bashkive humbje prej 2.2 miliardë lekësh në arkat e tyre.
A ka patur kërkesa për rritjen e fondeve nga ekzekutivi për përballimin e shërbimeve që Bashkitë u ofrojnë qytetarëve?
Adelina Farrici:
Bashkitë janë munduar të menaxhojnë buxhetin e tyre duke bërë ndryshime të buxhetit, duke ulur fondin e investimeve dhe duke kryer shërbimet. Pra, parësore për Bashkitë janë shërbimet ndaj qytetarëve. Atëherë, kemi një ulje dhe po të shikosh raportin fondi investime të parashikuara në Bashki ka një ulje tek 20%. Bashkitë kanë menaxhuar brenda buxhetit të tyre. Patjetër që kanë kërkuar nga pushteti qendror. Ne kemi dhe një alokim prej 400 milionësh nga pushteti qendror drejt pushtetit lokal që u tha që të përdoret për Pandeminë. Ky alokim është alokim që është 2% i TAP që është detyrim që pushteti qendror t’ia kalojë pushtetit lokal. E rëndësishme është që të fillojë të jepet ky 2%. Ne kemi kërkuar si shoqatë të kalojë 2019 dhe 2020, është kaluar 2018, pasi janë të ardhura të planifikuara të pushtetit lokal dhe janë të ardhura të munguara nga pushteti qendror drejt pushtetit lokal. Ligji i njeh dhe nga ana e Ministrisë së Financave na është thënë që po kërkohet gjetja e një formule pasi viti 2018 është shpërndarë me numër popullsie, faktikisht formula nuk duhet të jetë me numër popullsie por është një përllogaritje tjetër.
Cili është sektori më i prekur?
Adelina Farrici:
Sektori më i prekur absolutisht është turizmi. Bashkitë që e shikojnë boom-in e të ardhurave nga turizmi është sektori më i prekur.
Cila është Bashkia më e prekur?
Adelina Farrici:
Normalisht që Bashkitë e mëdha janë ato që preken më rëndë pasi në Bashkitë më të mëdha ke edhe biznesin më të madh, ke shërbimet me të mëdhaja. Normalisht që Bashkia Tiranës është patjetër e prekur. Është tjetër gjë që Bashkia e Tiranës ka mundësi dhe kapacitet që t’i rikuperojë me shpejt. Nëse do ta marrim në terma nominal Bashkia e Tiranës është më e prekura. Patjetër që ke Bashkinë e Vlorës, Korçës, Durrësit. Bashkia e Durrësit është gati edhe më e prekur se Tirana. Bashkitë e mëdha janë kryesisht më të prekura por referuar numrit të popullsisë dhe shërbimeve mund të themi se koeficenti i prekjes së këtyre Bashkive është pothuajse i njëjtë. Bashkia e Tiranës është më e prekur por ka kapacitete financiare më të mëdha se Bashkitë e tjera. Përqindja e prekjes së një Bashkie të vogël mund të jetë shumë e vogël por mundësitë për të rigjeneruar të ardhura të tjera e ka shumë më të vështirë. Ndërkohë që standartet e shërbimeve duhet të jenë të njëjta si në Tiranë edhe në Bashkitë e tjera.
Agron Haxhimali:
13 Bashkitë më të mëdha të vendit që kryesisht janë Bashki Qendër-Qarku kanë një humbje prej rreth 1.3 miliardë lekë dhe 37 Bashki të tjera që janë me popullsi rreth 50 mijë banorë kanë humbje rreth 1.8 miliardë lek, ose 24.8% të të ardhurave. Mos të harrojmë që nga Pandemia, Bashkia Tiranë sigurisht që është prekur më shumë, por edhe nuk duhet të harrojmë që Bashkia Tiranë ka mbledhur gati 70% të të ardhurave nga totali i të ardhurave kombëtare.
Arber Hitaj / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.