Eksportet dhe importet në rritje gjatë 2017 – Italia, partneri kryesor tregtar
Eksportet e mallrave shqiptare kanë regjistruar një rritje me 12.1 për qind gjatë vitit 2017, sipas Institutit të Statistikave. Rritje shënuan edhe importet me 8.1 për qind gjatë vitit të kaluar, krahasuar me po të njëjtën periudhë të vitit 2016.
Vendet me të cilat Shqipëria ka pasur edhe rritjen më të madhe të eksporteve gjatë vitit të kaluar janë Italia me 9.9 për qind, Kosova me 26 për qind dhe Spanja me 87.5 për qind.
Ndërkohë, sipas të dhënave të INSTAT, Turqia me -24 për qind, Zvicra me – 48 për qind dhe Holanda me – 4 për qind janë edhe vendet me të cilat eksportet kanë shënuar një rënie të madhe.
Sa i takon importeve, Italia kryeson listën si një nga vendet ku Shqipëria ka importuar më shumë, rreth 5.7 për qind, ndjekur nga Turqia me 11.2 për qind dhe Greqia me 9.2 për qind.
Ndërkohë, lidhur me vendet ku importet kanë pasur edhe uljen më të madhe, sipas INSTAT janë Gjermani me -7.7 për qind, Kina me -2.6 për qind dhe Franca me -4.4 për qind.
Nga të dhënat, shkëmbimet tregtare me vendet anëtare të Bashkimit Europian zënë edhe 66.3 për qind të gjithë tregtisë.
Genta Dobra/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.