“Eksportet” e call-center – 387 milionë euro nga eksporti i shërbimeve
Vitin e kaluar, ekonomia shqiptare eksportoi shërbime në vlerën e 387 milionë eurove. Sipas Bankës së Shqipërisë, të ardhurat nga ky zë në bilancin e pagesave u rritën me 40% krahasuar me vitin 2015.
Të ardhurat nga shërbimet nuk përfshijnë pagesat për punën me fason, ato nga turizmi dhe nga transporti, që klasifikohen në zëra të veçantë; ato përfaqësojnë kryesisht arkëtimet e ndërmarrjeve shqiptare që ofrojnë shërbime outsourcing me jashtë.
Siç dihet, më të rëndësishmet janë aktivitetet e shërbimeve të marketingut dhe kujdesit të klientit, të njohura si call-center, ndaj, mund të supozohet se pjesa më e madhe e 387 milionë eurove vijnë nga këto biznese.
Kjo shifër tregon përmasat e konsiderueshme që ka marrë eksporti i shërbimeve dhe, në veçanti, ato call-center për ekonominë shqiptare. Vlerësohet se këto aktivitete punësojnë mbi 25 mijë shqiptarë, kryesisht të rinj me njohuri të gjuhëve të huaja.
Eksporti i shërbimeve është sot një aktivitet i rëndësishëm për ekonominë dhe punësimin në nivel botëror. Përveç shërbimeve call center, një rëndësi gjithnjë e më të madhe po marrin shërbimet e specializuara të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit.
Shumë ndërmarrje të mëdha në ekonomitë e zhvilluara i kontraktojnë disa shërbime në vendet ku kostoja e punës është më e ulët.
Në këtë fushë, Shqipëria është ende shumë mbrapa krahasuar me vendet e tjera të Europës Qendrore dhe Lindore, edhe sepse tregu nuk ofron burime njerëzore të mjaftueshme.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.