Eksportet e patateve kosovare drejt Shqipërisë – Çmimi i lartë referent dëmton prodhuesit

Ministri në detyrë i Financave të Kosovës, Avdullah Hoti, përmes një postimi në rrjetin social Facebook ka denoncuar vendosjen e një çmimi shumë të lartë referent në doganat shqiptar për patatet e importuara nga Kosova.
Duke bashkangjitur një dokument të datës 11 Maj, i cili mban firmën e drejtoreshës së Doganave, Belinda Ikonomi, çmimi referent rezulton të jetë në vlerën 0.18-0.19 euro, çmim ky i konsideruar shumë i lartë nga ministri Hoti.
Sipas Hotit “kjo politikë e qeverisë shqiptare nuk i ndihmon unifikimit të tregut mbarëshqiptar”, por dëmton rëndë prodhuesit kosovarë.
Ai shprehet se ky veprim i palës shqiptare do të shqyrtohet me kujdes, ndërsa Ministria e Tregtisë dhe Industrisë e Kosovës ka marrë menjëherë masa duke kërkuar heqjen e këtij çmimi referent, dhe të vendosen çmimet furnizuese të dëshmuara nga prodhuesit e patates në Kosovë.
Hoti paralajmëron se nëse nuk do të ketë një reagim nga pala shqiptare, atëherë Kosova do të detyrohet të shqyrtojë veprimet e tjera ligjore dhe reciproke për të ruajtur prodhuesit vendas.
CMIMI REFERENT SHUME I LARTE PER PATATET QE EKSPORTOHET NGA KOSOVA NE SHQIPERI PO I DEMTON PRODHUESIT KOSOVAREVendosja…
Posted by Avdullah Hoti on Sunday, July 9, 2017
Ndërkohë, në faqen online të Doganave të Shqipërisë, çmimi referent për patatet me origjinë nga Kosova shkruhet se është 0.14-0.15 euro.
Patatet me këtë vend origjine kanë një çmim referent shumë më të ulët se ato nga vendet e tjera, për t’u siguruar një vend në tregun shqiptar. Ndikim në këtë çmim të konsideruar si të lartë nga ana e palës kosovare, mund të ketë edhe kursi i këmbimit valutor, ku euroja gjatë Qershorit preku edhe nivelin më të ulët prej Gushtit të vitit 2009.
Në tregjet bujqësore të vendit patatet e vendit tregtohen me një çmim nga 30-42 lekë për kilogram, me çmim shumice.
Për më shumë çmime produktesh, vizitoni faqen e Tregjeve Bujqësore në portalin SCAN.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.