Eksportet i kthehen rritjes – Por deficiti tregtar këtë vit ngelet në rritje
Eksportet shqiptare më në fund dhanë shenja përmirësimi në muajin korrik, pas një 6-mujori të parë në terren negativ.
Sipas të dhënave nga Instat, eksportet u rritën me 3.6% krahasuar me korrikun e vitit të kaluar. Sidoqoftë, bilanci i 7-mujorit ngelet ende në rënie me 2.6% ndaj të njëjtës periudhë të vitit 2018.
Rritja e eksporteve gjatë korrikut u ndikua sidomos nga grupi i ushqimeve dhe pijeve, por edhe kthimi i rritjes në grupin “minerale, lëndë djegëse, energji”. Në 6-mujorin e parë, ky grup regjistroi rënie të eksporteve, kryesisht për shkak të ndryshimit të ndjeshëm të kushteve hidrike dhe prodhimit të energjisë krahasuar me gjysmën e parë të vitit të kaluar.
Për 7-mujorin ky grup ngelet në rënie të eksporteve, ashtu siç paraqitet në rënie edhe grupi kryesor, “tekstile dhe këpucë”, me rreth 1.5 miliardë lekë eksporte më pak. Rënia në këto grupe është kompensuar pjesërisht nga rritja e eksporteve të produkteve ushqimore dhe e makinerive dhe pajisjeve.
Gjysma e eksporteve shqiptare shkojnë drejt Italisë, që vazhdon të dominojë dukshëm si partner tregtar. Kosova mban vendin e dytë, në rritje me 24% kundrejt vitit të kaluar. Megjithatë, në muajt e fundit rritja e eksporteve drejt Kosovës është ngadalësuar ndjeshëm dhe përfitimet nga taksa 100% mbi mallrat serbe janë ndoshta më të ulëta nga sa pritej.
Edhe importet iu rikthyen rritjes për muajin korrik, me 2.3% më shumë krahasuar me korrikun e vitit të kaluar. Edhe rritja e 7-mujorit të parë është në përmasa të përafërta. Rënia e eksporteve dhe rritja e importeve e ka zgjeruar deficitin tregtar të vendit, që në 7 muaj arriti vlerën e 197 miliardë lekëve, në rritje me gati 8% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Ersuin Shehu / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.