Eksportet “injorojnë” euron – Sinjalizohet rritja më e madhe në 7 vite, fabrikat në vrull

Aktiviteti i manifakturës në Eurozonë u përshpejtua ndjeshëm gjatë muajit Gusht, duke regjistruar rritjen më të madhe të eksporteve që prej Shkurtit të vitit 2011. Kjo vjen pavarësisht forcimit të monedhës.
Të dhënat rrisin edhe më tej presionin ndaj Bankës Qendrore Europiane për të ndërhyrë me reduktimin e programit të blerjes së titujve. Indeksi PMI i Markit që është një ndër matësit më realë të aktivitetit ekonomik, u rrit në 57.4 pikë gjatë Gushtit, në linjë me pritshmëritë e tregjeve dhe në rritje të ndjeshme në krahasim me Korrikun, kur fiksohej pranë 56.6 pikëve.
Niveli i 50 pikëve ndan rritjen nga kontraktimi. Rritja e aktivitetit të fabrikave është me bazë të gjerë në të gjithë kontinentin, ndërkohë që Gjermania regjistron performancën më të mirë. Ekspertët shprehen se, këto të dhëna sinjalizojnë një rritje të fortë ekonomike të zonës së monedhës së përbashkët edhe gjatë tremujorit të tretë të këtij viti. Nën-indikatori që mat prodhimin ndërkohë, u ngjit në 58.3 pikë gjatë Gushtit, nga 56.5 pikë që ishte në muajin Korrik.
Nën-indikatori që mat eksportet u rrit pranë nivelit më të lartë në thuajse 7 vite, duke injoruar kështu një forcim të euros me rreth 12%.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.