Eksportet nuk e rifitojnë vrullin – Ke dhe Berzh: Rritja furnizohet nga turizmi, oferta e jashtme për mallra, e ulët
Kontributi në normat e rritjes ekonomike të eksporteve neto do të vijojë të qëndrojë negativ përgjatë viteve 2019-2010 thotë Komisioni Europian në vlerësimin më të fundit për ekonominë e vendit tonë.
Kjo vjen pavarësisht faktit se projektohet një rritje disi më e lartë se vitin e kaluar. Eksporti i mallrave do të bjerë këtë parashikon Komisioni Europian, krahasuar me 2018, vit kur prodhimi mjaft i lartë i energjisë elektrike, çoi edhe në një bum eksportesh.
Por, ndërkohë që eksportet e mallrave do të ngadalësohen pritet një rritje e ndjeshme e eksportit të shërbimeve, udhëhequr nga turizmi. E ndërkohë që eksporti i mallrave do të goditet edhe nga ngadalësimi i kërkesës europiane, ai i shërbimeve, nuk pritet të dëmtohet, pasi bëhet fjalë për një ofertë më të diversifikuar.
Eksportet në tërësi, si për mallra ashtu edhe për shërbime pritet të rriten me 5.9% këtë vit dhe 6.,7% vitin e ardhshëm, nga 3% në 2018, ndërkohë që në 2017 rritja fiksohej në 12.9%. Thuajse të njëjtën gjë, thotë edhe Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim në raportin e publikuar këtë javë për ekonomitë e vendeve që mbulon, përfshirë Shqipërinë.
Sipas Berzh, rritja e eksporteve është ngadalësuar ndjeshëm në Shqipëri dhe vendet e tjera të rajonit.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.