Eksportet, “OK” edhe në Maj – Deficiti tregtar regjistrohet në rënie të lehtë

Edhe muaji Maj u shfaq pozitiv për eksportet shqiptare, të mbështetura nga rimëkëmbja e vazhdueshme e eksporteve të lëndëve të para, sidomos në grupet e mineraleve dhe materialeve të ndërtimit.
Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, eksportet arritën në 24.2 miliardë lekë, në rritje me 18% kundrejt të njëjtës periudhë të vitit të kaluar. Për pesëmujorin e parë të vitit 2017, eksportet prekën vlerën e 111 miliardë lekëve, 16% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Grupi që po udhëheq bindshëm eksportet, edhe këtë vit, është ai i tekstileve, me 42% të totalit, në vijimësi të një ecurie të konsoliduar gjatë viteve të fundit.
Megjithatë, përcaktues në ritmet e mira të rritjes në muajt e parë të këtij viti po rezulton edhe përmirësimi i ndjeshëm në grupet “minerale, lëndë djegëse, energji”, si edhe “materiale ndërtimi e metale”.
Eksportet e produkteve të rëndësishme në eksporte, si nafta bruto, kromi, çeliku apo çimentoja po rimëkëmben, pas goditjes dyvjeçare së shkaktuar sidomos nga rënia e çmimeve të lëndëve të para në tregjet ndërkombëtare.

Edhe importet e mallrave rezultuan në rritje gjatë muajit maj, me afro 6% më shumë, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Për pesëmujorin e parë të vitit, vlera totale e importeve arriti në afro 238 miliardë lekë, 4.6% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Rritja e importeve është e shpërndarë në shumicën e grupmallrave, çka mund të jetë një tregues se kërkesa e brendshme në ekonomi është në përmirësim të qëndrueshëm.
Megjithatë, falë ecurisë pozitive të eksporteve, deficiti tregtar i vendit rezulton në rënie të lehtë krahasuar me vitin e kaluar. Sipas INSTAT, për pesë muaj, deficiti në këmbimin e mallrave ishte 127 miliardë lekë, rreth pesë miliardë lekë më pak krahasuar me pesëmujorin e vitit të kaluar.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.