Eksporti i produkteve bujqësore drejt BE-së – Nga tetori pranohen vetëm certifikatat elektronike

Një sistem i ri i certifikimit elektronik për të monitoruar më mirë importet e produkteve organike do të hyjë në zbatimin në Bashkimin Europian duke filluar nga e mërkura.
Sistemi do të kontribuojë në rritjen e masave mbrojtëse për ushqimin si dhe do të reduktojë mashtrimet e mundshme. Ai gjithashtu do të ulë barrën administrative për operatorët dhe autoritetet, si dhe do të ofrojë më tepër të dhëna statistikore për importet organike.
Gjatë një periudhe tranzitore 6-mujore do të pranohet edhe certifikatat elektronike dhe në letër, ndërsa nga 19 tetori 2017, importet organike do të mbulohen vetëm nga certifikimi elektronik.
“Angazhimi ynë për masa më të forta inspektimi dhe certifikimi është përbërës kryesor në standardet ushqimore në BE. Rregullat e reja do të përmirësojnë gjurmimin e produkteve organike, i cili është një treg në rritje shumë i rëndësishëm”, u shpreh Phil Hogan, Komisioneri europian për Agrikulturën dhe Zhvillimin Rural.
Praktikisht, ndryshimet në certifikatën elektronike kërkojnë përfshirjen e çdo ngarkese dhe produktesh në sistemin e gjurmimit TRACES.
Kjo sjell lehtësi edhe në shpejtimin e procedurave administrative, si dhe jep informacion të aksesueshëm lehtë për autoritetet përgjegjëse dhe partnerët tregtarë.
Në të shkuarën shumë produkte organike, si domatet shqiptare janë falsifikuar nga tregtarë të huaj në Itali dhe vende të tjera të BE si produkte vendase, ose të një cilësie më të lartë. Vlera e këtyre produkteve të falsifikuara përllogaritet në 220 milionë euro vetëm në Itali.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.