Eksporti i punës – Sektori fason solli 333 milionë euro në 2017
Sektori fason solli 333 milionë euro në ekonominë shqiptare për vitin e kaluar. Sipas Bankës së Shqipërisë, të ardhurat nga shërbimet e përpunimit të mallrave për llogari të kontraktorëve të huaj u rritën me afro 13% krahasuar me vitin 2016.
Sektori i fasonerisë, sidomos në degët e produkteve tekstile dhe këpucë, duket mjaft e shëndetshme, pavarësisht krizës ekonomike në tregjet kryesore porositëse.
As dyshimet lidhur me aftësinë e këtij sektori për të mbijetuar në afatin e gjatë, për shkak të konkurrencës nga vendet me kosto më të ulëta të punës, nuk po vërtetohen.
Falë afërsisë gjeografike me Europën Perëndimore, përvojës së fituar në 25 vjet, por edhe falë pagave shumë të ulëta, fasoneria shqiptare po arrin jo vetëm të mbijetojë, por edhe të rritet vit pas viti.
Sipas Institutit të Statistikave, në Shqipëri janë afërsisht 1300 ndërmarrje me aktivitet në prodhimin e tekstileve, veshjeve dhe këpucëve, të cilat, në pjesën dërrmuese, punojnë me porosi nga jashtë vendit.
Gjithnjë duke iu referuar Instat, zyrtarisht sektorët e veshjeve dhe të këpucëve punësojnë rreth 45 mijë vetë. Paga mesatare bruto në këto aktivitete është mjaft modeste, me më pak se 30 mijë lekë në muaj, ndër më të ulëtat në ekonominë shqiptare.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.