Ekuilibri në tregun e naftës – Arabia Saudite: Zgjatja e marrëveshjes do të ulë mjaftueshëm inventarët

Ministri i Energjisë në Arabinë Saudite, Khalid al-Falih, tha se zgjatja e marrëveshjes aktuale për uljen e prodhimit deri në muajin Mars të 2018-ës, si dhe shtimi i një ose dy prodhuesve të tjerë në dakordësi, do të jetë e mjaftueshme për të reduktuar inventarët e naftës.
Qëllimi i OPEC është reduktimi i inventarëve global të naftës në mesataren 5-vjeçare të industrisë.
Organizata e Vendeve Eksportuese të Naftës, Rusia dhe prodhues të tjerë ranë dakord që të ulin prodhimin me 1.8 milionë fuçi në ditë për 6 muaj nga data 1 Janar.
Çmimet e naftës kanë fituar mbështetje nga ulja e prodhimit, por inventarët gjigant dhe rritja e prodhimit nga vende që nuk kanë marrë pjesë në marrëveshje, si Shtetet e Bashkuara, kanë limituar çmimet. Kjo ka sjellë nevojën e shtyrjes së afatit deri në Mars të vitit që vjen.
Arabia Saudite dhe Rusia, që janë dy prodhuesit kryesorë, kanë rënë dakord se është e nevojshme të zgjatet marrëveshja e uljes së prodhimit. OPEC u ka bërë thirrje prej kohësh prodhuesve të tjerë që t’i bashkohen paktit.
Takimi i Organizatës, së bashku me vende të tjera jo anëtare, ku do të arrihet një vendim mbi uljen e prodhimit, zhvillohet më datë 25 Maj në Vjenë. Pritshmëritë nga investitorët se uljet e prodhimit do të zgjaten përtej Qershorit, kanë dhënë një nxitje çmimeve.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.