El Salvadori, 1 muaj me bitcoin – Rritet numri i përdoruesve. Por, ka ende probleme me aplikacionin
Një numër në rritje i banorëve të El Salvadorit kanë eksperimentuar me bitcoin që kur vendi u bë i pari në botë që i dha kurs ligjor kriptovalutës muajin e kaluar, me miliona dollarë që dëgohen çdo ditë nga emigrantët përmes valutës dixhitale. Megjithatë, vetëm një pjesë e bizneseve në vend kanë marrë një pagesë me bitcoin dhe problemet teknike kanë pllakosur aplikacionin e kriptovalutës së qeverisë, duke irrituar edhe njerëz që janë mbështetës të teknologjisë. Banorët e El Salvadorit kanë thënë se kanë patur të paktën 1 problem me aplikacionin Chivo, që do të thotë “mirë” në gjuhën e tyre, dhe shumë pak e kanë përdorur në mënyrë të përditshme.
Të tjerë kanë raportuar parregullsi me transaksionet dhe përpjekje të vjedhjes së identitetit. Presidenti Nayib Bukele ka fajësuar kërkesën e lartë për problemet. Përshtatja ka qenë deri diku e shpejtë, në një vend të varfër, ku 1/5 e familjeve varen nga remitancat. Bukele ka thënë se 3 milionë njerëz kanë shkarkuar aplikacionin Chivo, rreth 500,000 më shumë se sa pritej fillimisht dhe thuajse gjysma e popullsisë së vendit. Në Shtator, ai tha se potofoli kishte 2.1 milionë përdorues aktiv.
Një muaj pas prezantimit, 12% e konusmatorëve kanë përdorur kriptovalutën, sipas Fondacionit për Zhvillim Ekonomik dhe Social. Megjithatë, sipas raportit, që anketoi 233 kompani në sektorë të ndryshëm, përdorim total është gjithashtu i ulët, me 93% e kompanive që nuk kanë raportuar pagesa në bitcoin. Qeveria e Bukele synon që 2.5 milionë banorë që jetojnë në SHBA të dërgojnë remitanca përmes Chivo. Deri më tani, 30 bankomate të bitcoin për të dërguar remitanca janë instaluar në Atlanta, Chicago, Houston dhe Los Angeles, ndërkohë që Bukele thotë se rreth 2 milionë dollarë dërgohen çdo ditë përmes aplikacionit. Megjitahtë, shumica e 6 miliardë dollarë remitanca vjetore, thuajse sa ¼ e PBB të vendit, dërgohet ende përmes transfertave të parasë.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.