Elbasan/ Vidhnin banesa dhe lokale – Policia arreston në flagrancë 5 shtetas
Policia e Shtetit bën me dije se në vijim të punës për parandalimin e vjedhjes së pronës, zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të vjedhjeve të ndodhura më parë, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan, bazuar mbi informacionet e marra në rrugë operative se disa shtetas po tentonin të vidhnin në një banesë në lagjen “Emin Matraxhiu” në Elbasan, u organizua dhe u finalizua më sukses operacioni policor i koduar “Banesa e fundit”.
Sipas njoftimit si rezultat i këtij operacioni u bë e mundur kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve: L. Ll., 33 vjeç, B. M., 19 vjeç, I. T., 19 vjeç, E. B. 18 vjeç dhe B. Rr., 18 vjeç, banues në Elbasan.
Policia njofton se këta shtetas janë kapur në flagrancë, në mesnatë, falë ndërhyrjes në kohë të shërbimeve të Policisë, në tentativë për të vjedhur në banesën e shtetasit P. S., në lagjen “Emin Matraxhiu” Elbasan dhe nga veprimet e kryera rezulton se këta shtetas dyshohen se janë autorë edhe të disa vjedhjeve të tjera të ndodhura më parë.
Sipas njoftimit në cilësinë e provës materiale u sekuestrua një automjet në pronësi të shtetasit B. Rr., me të cilin këta shtetas kryenin vjedhjet, si dhe një mjet prerës thikë ndërsa materialet u referuan në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprat penale “Vjedhja”, kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta”.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.