Eliminimi i përmbytjeve/ Nesër fillon ndërhyrja në segmentin rrugor Tiranë – Qafë Kashar, si devijohet qarkullimi
Për të eliminuar përmbytjet në autostradën Tiranë Durrës, prej datës 4 janar në orën 5 të mëngjesit do të fillojë ndërhyrja emergjente në segmentin rrugor Tiranë –Qafë Kashar. Për të përmirësuar situatën e përmbytjeve do të kryhet ndërhyrja me ndërtimin e dy tombinove në kilometrin kthesa Rinas) në kilometrin 6+600 dhe 6+800 (Kastrati & Alba-Elettrica).
Punimet parashikohen të zgjasin 2 javë sipas grafikut të punimeve, por kjo edhe në varësi të motit.
ARRSH dhe Policia e Qarkullimit Rrugor kërkojnë mirëkuptimin dhe bashkëpunimin e drejtuesve të mjeteve dhe bizneseve të zonës gjatë procesit të ndërhyrjes në këtë segment rrugor dhe respektimin në mënyrë rigoroze sinjalistikën provizore të vendosur dhe udhëzimet e policisë rrugore në terren.
Për këtë arsye gjatë kohës së kryerjes së këtyre punimeve:
- Autostrada Tiranë–Durrës në segmentin Mbikalimi Kamëz – Mbikalimi Qafë Kashar, Rinas do të mbyllet plotësisht për trafikun në të dyja drejtimet e lëvizjes.
- Trafiku do të devijohet për të gjitha mjetet në rrugën dytësore, të cilat do të funksionojnë me një drejtim lëvizje.
- Rekomandojmë përdoruesit e rrugës që gjatë kësaj kohe të zgjedhin rrugë alternative për lëvizjet në drejtim të veriut (nga Kamza) dhe në drejtim të jugut (nga Ndroqi ose Elbasani).
Nga ana e Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe Policisë së Qarkullimit Rrugor është hartuar një plan operacional i ndërhyrjes dhe devijimit të trafikut për të shmangur bllokimin e qarkullimit dhe për të garantuar mbarëvajtjen e punës në terren.
Punimet parashikohet të realizohen sipas grafikut te punimeve të miratuar.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.