Eliminimi i qeseve plastike – Bashkia, marrëveshje me prodhuesit e bukës

Ulja e nivelit të ndotjes dhe plehrave në kryeqytet tashmë po shihet në çdo aspekt nga Bashkia e Tiranës. Për këtë Bashkia e Tiranës ka arritur një marrëveshje me prodhuesit e bukës për reduktimin e qeseve plastike.
Kryebashkiaku Erion Veliaj, gjatë një takimi me anëtarët e shoqatës së Prodhimit të Bukës dhe Brumërave, theksoi se edhe pse është reduktuar me 60% përdorimi i qeseve plastike, pretendojmë që do të shkojmë gradualisht në ndalimin e përdorimit të qeseve plastike.
“Bashkimi i shoqatës me 250 furra buke dhe pastiçierie me nismën tonë redukton 1 milion qese në ditë në Tiranë. Kjo bën krenar secilin në shtëpinë e vet sot, është diçka konkrete dhe të prekshme, pra që ne në Tiranë e ndjejmë nga mënyra sesi është qyteti sot, më i pastër. Me firmën e sotme, ne hapim një kapitull të ri. Mezi pres që kjo të ndikojë edhe tek të tjerët që në të gjithë Tiranën ta shpallin qytetin më avangard në Ballkan. Nuk ka qytet realisht sot në Ballkan që ta ketë bërë këtë, fillimisht me supermarketet dhe me shitësit e bukur. Ju garantoj që do të na kopjojnë”, tha Veliaj
Gjithashtu, Veliaj tha se një masë të tillë e kanë ndërmarrë edhe vende të cilat janë më të varfra se Shqipëria, si Ruanda dhe Kenia, ndërsa shtoi se Tirana do jetë kryeqyteti i parë në rajon që i thotë stop përdorimit të qeseve plastike në ambalazhimin e bukës. Vetëm 6 muaj më parë një marrëveshje e tillë u bë mes Bashkisë dhe supermarketeve të mëdha të kryeqytetit.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.