Eliminimi i stresit në punë! Mënyra për të qenë sa më të çlirët dhe produktivë

Stresi është pjesë e procesit të punës. Ai ushtron sasinë e duhur të presionit, për të çuar deri në fund një objektiv, në mënyrë të shkëlqyer dhe të efektshme. Në momentin kur ankthi bëhet më shumë seç duhet i pranishëm, gjithsesi, stresi vazhdon t’ju ndjekë ju edhe jashtë zyrës, duke bërë kështu që të ndikojë në jetën tuaj personale, përveç asaj profesionale. Artikulli do të na njohë me disa hapa të rëndësishëm, të cilët synojnë të ndihmojnë në mirëdrejtimin e stresit, pavarësisht nëse është e nevojshme, ose jo për të ndryshuar vendin e punës. Kjo gjë mund të duket shumë e thjeshtë, por identifikimi i shkaqeve kryesore të çështjes do të ndihmojë në procesin e tejkalimit sa më mirë dhe sa më suksesshëm të problemit. Individët mund të përjetojnë dhimbje koke, dhimbje stomaku, shqetësime në gjumë, rritje nervash, apo mungesë përqendrimi edhe për gjëra të thjeshta. Sipas Shoqatës së Psikologëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, stresi kronik mund të rezultojë në gjendje ankthi, pagjumësi, presion të lartë gjaku, si dhe dobësim të sistemit imunitar.
Punoni në mënyrë të mençur
Në momentin kur ju keni kuptuar se është rritur niveli i stresit duhet të vlerësoni marrëdhëniet qe keni me kolegët në punë. Ju duhet të keni marrëdhënie të shëndetshme me kolegët dhe nuk duhet të ngujoheni prapa ekranit të kompjuterit në zyrë, duke shmangur kontaktin. Ndryshimet e vogla në komunikimin dhe mënyrën e të punuarit mund të ndërtojnë një lidhje më të mirë me ata që ju rrethojnë dhe do t’ju largojnë një pjesë të shqetësimeve. Ju duhet të socializoheni me kolegët tuaj, duke bërë biseda e diskutime të vogla me ta, e kjo do t’ju ndihmojë për të qenë më i çlodhur. Jini më aktiv, diskuto rreth një çështjeje interesante dhe lër bisedën të rrjedhë. Kjo mund të jetë shumë e mirë për të rritur nivelin e prodhimtarisë profesionale, si dhe për të çliruar stresin. Nëse në punë ke kolegë të rinj, kjo gjë është akoma më e mirë, sepse ju do të filloni të kuptoni njëri-tjetrin më shumë në nivel individual dhe, nga ana tjetër, si rezultat, do të punoni në një mjedis më bashkëpunues e dashamirës. Edhe vetëm njohja e njerëzve të rinj mund të përmirësojë humorin tuaj dhe të ndihmojë të punoni më mirë së bashku.
Largoni celularin
Të qenurit i lidhur me celularin, 24 orë në ditë, përbën një burim stresi. Telefonatat e vazhdueshme, mesazhet, si dhe rifreskimet e statuseve në rrjetet sociale mund të jenë dëmtuese, sidomos nëse ju jeni tip që i përdorni shumë. Lëreni për pak kohë celularin dhe përqendrohuni më shumë te vetja. Ju duhet t’i thoni “po” më shpesh kolegëve, kur ata ofrojnë ndihmë, në një projekt që ju merrni pjesë. Kjo nuk do të thotë se ju nuk jeni aq të zotë, por përkundrazi, se ju vlerësoni marrëdhëniet e mira në punë dhe shfaqni një frymë bashkimi. Një gjë e tillë, jo vetëm që do të ulte barrën e punës, por do të përmirësonte edhe organizimin, duke e bërë më produktiv rezultatin e ngarkesës së projektit. Në këtë mes ka padyshim edhe raste kur të qenurit i lidhur, apo në linjë, është e domosdoshme. Interesi i një kompanie është që punonjësit e saj të kenë mundësi të rimëkëmben psikologjikisht, e më pas të vazhdojnë rrjedhën e punës.
Mbani një listë me shkrim për gjërat që duhen bërë
Të mbajturit e një liste me shkrim, për gjërat që janë në plan për ditën është shumë e rëndësishme. Në kohët digjitale, nocioni i të shkruarit të gjërave për ditën mund të duket si diçka e prapambetur dhe e panevojshme, por dhënia e përparësisë për të shkruar gjërat që duhen bërë mund të ndihmojë për të dhënë një kuadër më të qartë se si do të duket dita juaj. Kjo listë nuk humbet ndër gjërat që ndodhin në kompjuter, nesë shkruhet te ky i fundit dhe askush nuk të shqetësohet për të harruar ose jo çështje të rëndësishme. Shkrimi i listës në mëngjes ndihmon në perceptimin më të mirë se çfarë pret nga dita dhe bën të qartë në fillim të saj se cilat gjëra duhen bërë. Përveç kësaj, kalimi i pikave në mënyrë fizike mund të japë një ndjenjë çlirimi.
Bëni më shumë për veten tuaj
Përditshmëria, shpesh luan një rol të madh në nivelin e stresit. Ndarja nga zakonet e këqija dhe ndjekja e atyre të mirave mund të ndihmojë të ndiheni më i lehtësuar gjatë ditës së punës. Ju mund të caktoni pushime të vogla gjatë procesit të punës. Nëse jeni ngujuar në karrigen tuaj për të gjithë ditën dhe nuk do t’i jepni vetes kohë për pak pushim, ka shumë të ngjarë që të stresoheni. Ju duhet që të bëni intervale të shkurtra gjatë ditës duke krijuar kështu edhe një shkëputje të përkohshme psikologjike që do të largojë lodhjen. Ju mund të bëni një ecje, të pini një kafe, apo edhe të hani drekë. Të gjitha këto gjëra do t’ju japin kohë për të kthjelluar mendjen dhe për të bërë një pushim në trurin tuaj, duke pakësuar stresin. Pushimet e shkurtra nuk do të ulin performancën tuaj dhe janë të mira nëse punoni në një pozicion ku krijimtaria është e rëndësishme. Caktimi i tyre gjatë ditës, disa herë, ndihmon që ju të trajnoni veten për t’u përgatitur për një rifreskim të trurit, duke ju bërë më produktivë.
Tregohuni të mirë me veten
Kur jeni me moral të ulët, si dhe keni objektiva të vështirë për projektet tuaja mund të jetë e vështirë për të parë përtej tyre. Ju duhet të ecni përpara dhe të mos harroni se sfidat që po përballni tani do të duken të vogla e të pakuptimta, në momentin që do t’i kaloni ato. Çdo njeri kalon momente, të cilat, përpara se të përjetohen, duken si të pamundura, apo të pakalueshme, e pasi përjetohen, duken gjëra të vogla. Mësojeni veten me idenë se asgjë nuk është e pamundur dhe e vështirë. Është e pamundur për të eliminuar çdo stres nga puna juaj, por ju mbase nuk e doni një gjë të tillë, pasi disa nivele të vogla stresi mund të jenë të shëndetshme dhe nxitëse për të arritur objektivat dhe për t’ju mbajtur në aktivitet. Puna për të zhdukur stresin e keq dhe për ta bërë vendin e punës, një vend të shëndetshëm, mund të ndikojë në mënyrën se si ju e shihni punën tuaj.
Renato Hysenllari/SCAN Magazine
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.