Emergjenca e përmbytjeve – Xhaçka e Mesi në Shkodër: Do bëjmë vlerësimin e dëmeve
Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka dhe Zv.kryeministrja Senida Mesi kanë inspektuar situatën e përmbytjeve në Dajç e Belaj të Shkodrës. Gjatë takimeve me banorët, Xhaçka theksoi se niveli i ujit ka rënë me 20 centimetra. Ajo siguroi se do të asistohet çdo banor në vështirësi dhe se vlerësimi i dëmeve do të bëhet menjëherë pas tërheqjes së ujërave.
“Fokusi i ditës, ndihma për çdo banor në vështirësi. Zgjidhja afatgjatë për situatën do të përcaktojë edhe penalitete për bashkitë që nuk marrin masa parandaluese për situata të tilla”, tha Xhaçka.
Zëvendëkryeministrja Senida Mesi kërkoi koordinim mes të gjitha instancave shtetërore, dhe gatishmëri maksimale për t’i ardhur në ndihme çdo banori të prekur. Ajo e vuri theksin te domosdoshmëria e zgjidhjeve afatgjata për shmagjen e përmbytjeve.
“Koordinimi mes të gjithë instancave dhe transparenca nga ana e njësive vendore është tepër i rëndësishëm. Fatmirësisht, është rritur sensibilizimi edhe nga komuniteti i biznesit dhe shoqatave”, tha Mesi.
Gjatë ditës së diel, u raportua se niveli i ujërave ra me mbi 20 centimetra në zonat përreth Shkodrës.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.