Emergjencat civile – Ngrihet magazina e parë, Veliaj-biznesit: Kontribuoni!

Për herë të parë Bashkia e Tiranës ka ngritur Magazinën e Emergjencave të qytetit, me një fond të veçantë ushqimesh dhe veshmbathjesh, të cilat do të shërbejnë për t’i ardhur në ndihmë njerëzve në nevojë në raste emergjencash. Ndërkohë që, kryebashkiaku i bëri thirrje bizneseve të kontribuojnë për të rritur këto rezerva.
Për herë të parë Bashkia e Tiranës ka ngritur Magazinën e Emergjencave të qytetit, me një fond të veçantë ushqimesh dhe veshmbathjesh, të cilat do të shërbejnë për t’i ardhur në ndihmë njerëzve në nevojë në raste emergjencash. Sipas kryebashkiakut, Erion Veliaj tashmë qyteti mund të përballojë 200-300 raste problematike, ndërsa i bëri thirrje të gjitha bizneseve apo shoqatave të ndryshme që të kontribuojnë me aq sa munden për të rritur këto rezerva.
“Tirana është gjithmonë një hap përpara; po mendojmë për ditët e ftohta dhe me shi, kur mund të kemi emergjenca civile. Këto janë të pashmangshme dhe pavarësisht histerisë, as kryetari i Bashkisë, as Kryeministri apo kushdo tjetër nuk mundet ta ndalojë shiun apo të rregullojë infrastrukturën e keq ndërtuar ndër vite, që janë kryesisht ndërtime pa leje buzë lumenjve apo në hapësira të tjera publike. Por, ajo që mund të bëjmë është që kur të vijë dita e keqe, të na gjejë të përgatitur. Nuk mjafton të jesh biznes i suksesshëm, nëse këtë sukses nuk e ndan, sidomos në ditën e nevojës, me ata që janë në situatë të vështirë. I falenderoj me zemër për bujarinë e tyre dhe për faktin që rezervat e qytetit të Tiranës janë gjithmonë plot. Teksa përballojmë nevoja të ndryshme, gjithmonë ri-furnizohemi për t’u siguruar që dita e nevojës na gjen në gatishmëri të plotë”, tha ai.
Paralelisht me përgatitjet për situatat emergjente që mund të krijohen si pasojë e reshjeve të shiut apo temperaturave të ulëta, Bashkia e Tiranës ka nisur punën edhe për parandalimin e përmbytjeve në zonat pranë lumenjve.
Në këtë kuadër, Veliaj nënvizoi faktin se ndërmarrjet janë duke pastruar nga inertet kanalet dhe lumenjtë, ndërsa paralajmëroi vijimin e aksionit për prishjen e ndërtimeve pa leje që janë ndërtuar mbi kolektorë.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.