Emergjencat Civile – Veliaj: Sensibilizim për bashkëpunim në shkolla 9-vjeçare dhe të mesme

Bashkia e Tiranës, do të ndërmarrë një fushatë ndërgjegjësuese në shkollat 9-vjeçare dhe gjimnazet e kryeqytetit për ofrimin e ndihmës në çdo lloj emergjence. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, teksa vizitoi ambientet e stacionit të shërbimit të emergjencës mjekësore “ERA”, theksoi se duhet të investohet në brezin e ri të jetë më i përgatitur të përballet me emergjencat.
“Bashkë me shërbimin ‘ERA’ dhe zjarrfikëset e Tiranës do të vijojmë fushatën tonë të ndërgjegjësimit, të edukimit dhe informimit, sidomos me nxënësit e gjimnazeve dhe shkollave 9-vjeçare, sepse besoj që një brez i ri më i ndërgjegjshëm, që respekton më shumë jetën, është më i përgatitur të përballet me emergjencat”, theksoi Veliaj.
Kyebashkiaku u ndal edhe tek disiplinimi i qytetarëve gjatë lëvizjes në akset dhe kryqëzimet kryesore, duke thënë se bashkia ka marrë masa që në rrugët e reja të ketë alternativa kalimi për të shmangur çdo mundësi që sjell rrezikun e jetës.
“Në të gjitha akset kryesore kemi filluar të vendosim kangjella për të diktuar vendet ku kalohet rruga. Kështu shmangim shumë prej aksidenteve që janë të shmangshme, por që shkaktohen kur qytetarët kalojnë autostradën në mënyrë të papërgjegjshme. Jemi kujdesur gjithashtu që edhe në investimet e reja, jo vetëm të vëmë këto kangjella, por ashtu si në autostradën e re në drejtim të Lundrës dhe në Unazën e Madhe të Tiranës, të kemi mjaftueshëm mbikalime, ku qytetarët të kenë një alternativë të sigurt për të kaluar rrugën pa marrë risqe të panevojshme që rezultojnë fatale në qytetin tonë”, përfundoi kryetari i Bashkisë së Tiranës.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.