Emetimi i kriptomonedhës, rregullim apo aventurë?
Nga Lidion Kulla
“Së fundi, në funksion të përpjekjes për të zgjeruar tregje, për të çelur tregje, për të krijuar mundësi të reja dhe mbi të gjitha, për të krijuar perspektivë për vende pune që paguhen shumë më mirë dhe për njerëz të kualifikuar dhe me profesione të ndryshme në sektorë që janë tejet të zhvilluar, apo në rrugën e zhvillimit, jemi duke eksploruar edhe mundësinë e krijimit të një kuadri rregullator për kriptovalutën, që është një risi shokuese në botën e sotme dhe ku mundësia për të qenë inovativë dhe për të krijuar një pikë graviteti atraktive për tregjet financiare në të gjitha vendet, pavarësisht nëse janë shumë të zhvilluara, apo janë më pak të zhvilluara. Për momentin jemi në një proces vlerësimi dhe pune për hartimin e kuadrit rregullator, pasi kemi bërë një analizë dhe një studim të thelluar. Nëse rezultatet e kësaj pune do të jenë të kënaqshme, atëherë ne do të promovojmë edhe përtej kufijve të Shqipërisë, gatishmërinë e vendit për t’u bërë një vend pritës për investitorët e shumtë potencialë, që synojnë të përfshihen në këtë revolucion të financave globale”.
Kjo ishte një pjesë e fjalës së kryeministrit Edi Rama, gjatë ceremonisë për nisjen e punimet për seksionin detar të gazsjellësit Trans-Adriatik (TAP) në Shqipëri. Pa dhënë shumë detaje, kryeministri sinjalizoi se, qeveria po punon për krijimin e kuadrit rregullator për kriptovalutën ose monedhën virtuale, për të tërhequr sa më shumë investime të huaja dhe për të hapur tregje të reja.
Por, për çfarë mund të bëhet fjalë?
Mundësitë janë dy: ose qeveria do të hartojë kuadrin rregullator për tregtimin e monedhave virtuale, që po e bën shumica e vendeve të zhvilluara dhe në zhvillim, ose do të emetojë një kriptomonedhë, që deri më tani e ka eksperimentuar vetëm Venezuela, në përpjekje për të përballuar problemet e mëdha ekonomike dhe për të anashkaluar sanksionet amerikane.
Skenari i parë, kuadi rregullator për kontrollin e kriptomonedhave
Nëse qeveria shqiptare synon të rregullojë tregun e kriptomonedhave, ky patjetër që është një zhvillim pozitiv, pasi të njëjtën gjë po bën edhe Bashkimi Europian, pasi është më mirë ta kontrollosh një risi sesa ta ndalosh.
Në datën 20 prill të këtij viti, Parlamenti Europian mbështeti një propozim për të rregulluar kriptomonedhat. Anëtarët e parlamentit votuan me një maxhorancë absolute për të mbështetur një marrëveshje të dhjetorit të vitit 2017 me Këshillin Europian, mbi masat që synonin pjesërisht të parandalonin përdorimin e kriptomonedhave në pastrimin e parave dhe financimin e terrorizmit.
Legjislacioni i ri në Bashkimin Europian synon të adresojë anonimitetin e teknologjisë financiare, duke implementuar rregulla për agjencitë e këmbimit të kriptomonedhave apo platformat e ndryshme. Sipas këtyre masave, këto subjekte do të duhet të regjistrohen pranë autoriteteve dhe të zbatojnë të ashtuquajturat “procedurat e vigjilencës”, duke përfshirë edhe verifikimin e klientit. Direktivat e reja hynë në fuqi rreth fundit të muajit prill, ndërsa vendet anëtare të Bashkimit Europian kanë 18 muaj afat, që nga data e publikimit në fletoren zyrtare të BE-së, për të adaptuar rregullat e reja në ligjet kombëtare.
Padyshim që, ashtu sikurse tha edhe kryeministri Edi Rama, kriptomonedhat sjellin mundësi të reja investimi. Por, në anën tjetër, mund të paraqesin edhe rreziqe të konsiderueshme për investitorët dhe të përdoren nga krimi financiar, nëse nuk ka një mbrojtje ligjore.
Skenari i dytë, emetimi i një kriptomonedhe nga qeveria
Nëse kryeministri Rama e kishte fjalën për emetimin e një monedhe virtuale, Shqipëria do të ishte vendi i dytë në botë, pas Venezuelës, që do të ndërmerrte një veprim të tillë. Madje, do të sfidonte edhe paralajmërimet e Bankës së Shqipërisë dhe institucioneve të tjera ndërkombëtare, për të pasur kujdes ndaj këtyre transaksioneve. Vende të tjera nëpër botë që kanë tentuar të përqafojnë këtë risi janë me pikatore. Vetëm Senegali, Tunizia dhe Ishujt Marshall kanë tentuar të adaptojnë një monedhë kombëtare digjitale, por interesi ka qenë minimal.
Edhe Banka e Shqipërisë, pak kohë pasi Bitcoin hyri në tregun shqiptar, paralajmëroi se kuadri ligjor në fuqi dhe ai rregullator i Bankës së Shqipërisë nuk e parashikon kryerjen e një veprimtarie të tillë në Shqipëri. Banka e Shqipërisë i ka cilësuar këto aktivitete si të rrezikshme, duke listuar disa prej risqeve kryesoreve, si paqëndrueshmëria, origjinë e panjohur e parave, mundësi për manipulim, ekspozim ndaj sulmeve kibernetike, etj. “Banka e Shqipërisë nuk ka licencuar asnjë subjekt financiar, në veprimtarinë e të cilit të përfshihet përdorimi i monedhave virtuale.
Për rrjedhojë, çdo shoqëri e cila përfshihet në këtë aktivitet në Republikën e Shqipërisë nuk është e licencuar, e për rrjedhim aktiviteti i saj nuk i nënshtrohet kuadrit rregullues dhe atij mbikëqyrës nga ana e Bankës së Shqipërisë”, thuhet në njoftimin e institucionit qendror monetar në vend.
Edhe Autoriteti Bankar Europian ka publikuar një sërë rreziqesh, me të cilat do të përballen konsumatorët kur blejnë, mbajnë ose tregtojnë monedhat virtuale. Po ashtu, Banka Qendrore Europiane ka paralajmëruar për rreziqet e shumta me të cilat përballen konsumatorët.
“Petro”, kriptomonedha e emetuar nga Venezuela
Venezuela është ndër të vetmet vende në botë, që ka emetuar një kriptomonedhë, të quajtur “Petro”. Sipas presidentit, Nicolas Maduro, kjo monedhë do të mbështetet nga pasuria e naftës, gazit, arit dhe diamanteve të Venezuelës.
Petro supozohej t’a ndihmonte Venezuelën të përparonte në çështjet e sovranitetit monetar dhe ta ndihmonte në kapërcimin e sanksioneve financiare nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Por, nuk kaluan shumë kohë dhe presidenti amerikan, Donald Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv për të ndaluar transaksionet financiare në Amerikë, që përfshijnë kriptovalutën e Venezuelës. Zyrtarët amerikanë paralajmëruan se monedha Petro, është një mashtrim nga qeveria e Nicolas Maduro.
“Petro është një përpjekje e dëshpëruar nga një regjim i korruptuar për të mashtruar investitorët ndërkombëtarë”, deklaron administrata e Trump, duke kërcënuar se çdo transaksion me valutën do të thyejë sanksionet amerikane.
SCAN Magazine
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.