Emrat e Sekretarëve të Përgjithshëm të 11 ministrive – Kush konfirmohet dhe kush është zhvendosur

Janë zyrtarizuar ditën e shtunë emrat e sekretarëve të përgjithshëm për 11 ministritë e reja apo të riorganizuara të kabinetit ‘Rama 2’. Më poshtë janë të shënuar të gjithë emrat me ministritë përkatëse, ndërsa bie në sy se ashtu si për ministrat, është ruajtur raporti i barazisë gjinore me 5 sekretare të përgjithshme femra, kundrejt 6 meshkujve.
Disa emra janë rikonfirmuar në pozicionet përkatëse, si Gazmend Barbullushi në Ministrinë e Jashtme, Gelardina Prodani në Ministrinë e Financave dhe të Ekonomisë, Rinisë dhe Sportit, Elira Kokona në Ministrinë e Kulturës, Kledia Mazniku në Ministrinë e Shëndetësisë.
Në Ministrinë e Brendshme, juristi Dritan Palnikaj ka kaluar nga këshilltar juridik në sekretar të përgjithshëm. Palnikaj ka qenë edhe emërimi i parë i Xhafajt, kur mori detyrën për herë të parë në fund të mandatit të qeverisë ‘Rama 1’.
Në Ministrinë e Mbrojtjes, Alba Thoma është zgjedhur në detyrën e sekretares së përgjithshme, pasi kishte mbajtur detyrën e Drejtoreshës Juridike të Komunikimit dhe Prokurimeve në Ministrinë e Mjedisit.
Ndërsa në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë, emërohet si sekretar i përgjithshëm Gentian Këri, i cili e ka mbajtur këtë detyrë në Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes.
Në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, emërohet Aurora Alimadhi, e cila ka mbajtur postin e drejtoreshës juridike në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.
Koli Bele kalon si sekretar i përgjitshëm nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë në atë të Arsimit, Rinisë dhe Sportit.
Ndërsa Plarent Ndreca zhvendoset nga Arsimi në Ministrinë e Mjedisit dhe Turizmit.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.