Energji nga karburanti pranë TEC Vlorë – Prodhimi/KESH do marrë me qira 2-vjeçare aset gjenerues termik me kapacitet 110 – 130 MW
Korporata Eelektorenergjetike Shqiptare synon të marrë me qira për një periudhë 2-vjeçare një aset gjenerues termik të energjisë, me kapacitet 110 – 130 MW. Procedura për përzgjedhjen e kompanisë është shpallur pas vendimit të qeverisë, të muajit dhjetor të vitit që sapo lamë pas, që lejon kompaninë publike t’i drejtohet tregut ndërkombëtar për të marrë përkohësisht me qera asete gjeneruese termike shtesë, të cilat mund të instalohen dhe lidhen lehtësisht me Rrjetin e Transmetimit të Energjisë në Shqipëri. Vendimi përcakton se kontrata e qirasë mund të jetë 1-2 vjeçare, ndërkohë që në procedurën e shpallur, KESH ka përcaktuar kohëzgjatjen maksimale.
Ndërkaq, do të jetë oferta fituese që do të përcaktojë sesa do t’i kushtojë Korporatës kjo kontratë, ndërkohë që paraprakisht nuk është përcaktuar as fondi limit i vënë në dispozicion. Ndërkaq, sipas termave të referencës impianti termik do të përdorë karburant të lëngshëm, si gasoil ashtu edhe mazut/solar për të gjeneruar energjinë , ndërsa duhet të jetë i disponueshëm për t’u instaluar pranë TEC Vlora, për të shfrytëzuar infrastrukturën nderlidhëse me rrjetin e transmetimit të TEC –it.
Gjithashtu, kërkohet që impianti të jetë i lundrueshëm, teksa vendi i pozicionimit parashikohet të jetë baseni i Triportit. Sipas termave të referencës, përgjegjës për kryerjen e të gjitha procedurave me qëllim prokurimin dhe furnizimin e impjantit me karburantin e nevojshëm për do të jetë vetë Korporata Elektorenergjetike Shqiptare. Përmes autorizimit të kësaj procedure qeveria synoi rritjen e kapaciteteve gjeneruese të energjisë ne vend, për shkak të krizës energjetike.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.