Energjia diellore, çmime të reja – ERE: Tregu ka pësuar zhvillime, nisim procedurat për rishikimin
Zhvillimet e fundit në tregun e prodhimit të energjisë nga dielli, që lidhen kryesisht me dhënien e licencave për ndërtimin e impianteve fotovoltaike apo aplikimet e kryera deri më tani kanë detyruar Entin Rregullator të Energjisë të nisë procedurat për rishikimin e çmimit të blerjes së energjisë së prodhuar nga impiantet me fuqi të instaluar deri në 2 MW.
Aktualisht ky çmim është 100 euro/MWH, çka nxiti shumë investitorë t’i hedhin sytë nga prodhimi i energjisë elektrike nga dielli.
Aktualisht janë dhënë 6 licenca, që i kanë hapur rrugën ndërtimin të impianteve fotovoltaikë, ndërkohë që kreu i Entit Rregullator të Energjisë, Petrit Ahmeti kërkoi hartimin e një plani të veçantë mbi monitorimin e ecurisë së punës në terren.
Çmimet e blerjes së energjisë elektrike të prodhuar nga impiantet fotvoltaike dhe eolike u përcaktuan një vit më parë, por nëse prodhimi nga dielli ka zhvillime domethënëse, për prodhimin e energjisë nga era po ecet me hapa më të ngadaltë.
Sipas vendimit të vitit 2017 çmimi i blerjes së energjisë nga impiantet eolike me fuqi të instaluar deri në 3 MW është 76 euro/mwh.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.