Energjia e prodhuar u rrit me 8% – HEC-et publike dominojnë prodhimin, ulen humbjet në rrjet
Pavarësisht situatës jo të favorshme hidrike, prodhimi i energjisë elektrike përgjatë 3-mujorit të tretë u rrit me 8% në raport me të njëjtën periudhë të një më parë. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave prodhimi për këtë periudhë u dominua nga hidrocentralet publike me 76.4% të totalit, ndërkohë që nga hidrocentralet private dhe koncensionare u prodhua 22,8% e energjisë. Ky raport ka ndryshim me periudhën janar qershor, ku sipas të dhënave zyrtare, HEC-et private dhe koncesionare prodhuan më tepër energji se hidrocentralet e Kaskadës së Drinit.
Ndërkaq, shfrytëzimi i diellit për prodhimin e energjisë mbetet të nivele modeste, teksa 8 impiantet e instaluar prodhuan 0,8% të prodhimit neto vendas. Gjatë periudhës korrik-shtator u importua 13.8% më pak energji se 3-mujori i tretë i vitit të kaluar, ndërkohë që eksporti bruto u rrit me 32,7%. Përdorimi i energjisë elektrike nga konsumatorët gjatë kësaj periudhe u ul me 1,9%, ndërkohë që sipas INSTAT, ndikimin më të madh në uljen e përdorimit të energjisë elektrike e kanë dhënë konsumatorët jo familjarë, ku kemi një rënie të konsumit me 5,1 %, përkundrejt rritjes me 2,5% të energjisë së konsumuar nga konsumatorët familjarë.
Ndërkaq, humbjet e energjisë në rrjet u përmirësuan me 5.1%, ndërsa humbjet në transmetim ranë me 5.4%. Gjithashtu, humbjet teknike në shpërndarje kanë shënuar një rënie me 3%, ndërsa humbjet jo teknike në shpërndarje kanë shënuar një rënie me 8,4%,krahasuar me tremujorin e tretë të vitit 2019.
Ola Mitre / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.