Energjia elektrike nga burimet e rinovueshme – Iniciativa e Francës, gati të shtojë 17 gigawatt
Franca do të prodhojë së shpejti më shumë se 17 gigawatt energji elektrike nga burime të rinovueshme.
Tre janë skemat që mbështesin prodhimin e elektricitetit nga instalime të vogla ere, diellore dhe nga gazi i ujërave të zeza. Skemat e miratuara nga Komisioni Europian përbëhen si më poshtë:
- Një skemë për prodhimin e energjisë elektrike nga era, e cila do të japë mbështetje për 15 gigawatt kapacitet shtesë përgjatë 10 viteve të ardhshme. Për operatorët e instalimeve të vogla me më pak se 6 turbina, me nga 3 megawatt limit për turbinë, çmimi do të garantohet më i lartë se ai i tregut.
- Një skemë mbështetëse për prodhimin e energjisë diellore për ndërtesat me instalime të vogla fotovoltaike nën 100 kilowatt. Këto instalime do të marrin një pjesë nga tarifat e energjisë elektrike për 20 vitet e ardhshme. Kontributi do të variojë në bazë të përmasave të instalimit dhe modelit të biznesit. Me këtë masë Franca pritet të zhvillojë 2,1 gigawatt energji diellore.
- Një skemë suporti për skemën e gazit nga kanalizimet. Franca vlerëson se 160 megawatt është potenciali i mbetur i instalimeve të tilla, shumica e të cilave janë nga më pak se 1 megawatt. Kjo skemë është e hapur edhe për instalimet më të mëdha, por pret që aplikimet kryesisht të vijnë nga instalimet e vogla. Instalimet 500 kilowatt e sipër do të marrin një çmim konkurrues mbi tregun, ndërsa ato nën 500 kilowatt do të përfitojnë një pjesë në tarifë për 20 vitet e ardhshme.
Buxheti i përcaktuar për mbështetjen e këtyre skemave është 1 miliardë euro në vit për energjinë e erës, 190 milionë euro në vit për energjinë diellore dhe 58 milionë euro në vit për atë të gazit nga kanalet.
Përmes këtyre masave, Franca do të mund të arrijë objektivin e vitit 2020 për të prodhuar 23% të nevojave energjitike nga burime të rinovueshme.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.