Energjia, rekord eksportesh – Bilanci tregtar pozitiv, hera e parë që nga 2010

Eksportet e energjisë vitin e kaluar regjistruan vlerën më të lartë që nga viti 2010. Sipas INSTAT, vitin e kaluar eksportet e energjisë arritën në 1868 GWh (gigavatorë), dy herë më shumë krahasuar me vitin 2015.
Ky është rezultat i kushteve të favorshme hidrike, por edhe i rritjes së kapacitetit prodhues në vitet e fundit.

Për vitin 2016, edhe bilanci tregtar i energjisë elektrike u kthye pozitiv për herë të parë që nga viti 2010. Eksporti i energjisë elektrike ishte lehtësisht më i lartë se importet dhe kjo është vetëm hera e dytë në 17 vitet e fundit që Shqipëria e mbyll me një bilanc energjetik pozitiv.
Veç rritjes së eksporteve, mbyllja e deficitit të energjisë elektrike vitin e kaluar u arrit falë rënies drastike të importeve.
Rritja e prodhimit vendas edhe ulja e humbjeve në rrjet kanë kontribuar në uljen e sasive të importuara të energjisë. Prodhimi vendas i energjisë vitin e kaluar arriti në 7135 GWh, në rritje vjetore me 22%.
Vitin e kaluar, pesha e hidrocentraleve privatë dhe koncesionarë arriti në afro 29% të prodhimit total, nga 24% që kishte qenë në vitin 2015.
Humbjet e energjisë në rrjet vitin e kaluar zbritën sërish, pranë nivelit 28%, nga 30.2% që kishin qenë në vitin 2015. Sipas të dhënave të INSTAT, tashmë humbjet në shumicën dërrmuese janë humbje teknike, të shkaktuara nga mangësitë dhe amortizimi i rrjetit të transmetimit dhe shpërndarjes.

Humbjet e regjistruara nga operatorët si humbje jo teknike, kryesisht vjedhje të energjisë, për vitin e kaluar ranë në 6.3% të totalit, nga 9.2% që ishin në vitin 2015.
Pavarësisht nga kjo, niveli i humbjeve prej 28% është ende i lartë dhe objektivat për uljen e tyre, të dakordësuara me Bankën Botërore dhe Fondin Monetar ndërkombëtar, nuk janë arritur.
Sipas qeverisë shqiptare, kjo ka ndodhur për shkak të mosrealizimit të planit të investimeve në rrjete, sidomos në atë të shpërndarjes.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.