Erdogan i bën thirrje Trump të heqë dorë nga sanksionet ndaj Turqisë
Presidenti i SHBA, Donald Trump ka autoritetin të heqë dorë nga sanksionet ndaj Turqisë për blerjen e sistemeve të mbrojtjes ajrore ruse dhe duhet të gjejë një “vijë të mesme” në mosmarrëveshje, tha Presidenti Tayyip Erdogan të dielën vonë. Komentet e Erdoganit erdhën dy ditë pasi anëtari i NATO-s, Turqia, mori dorëzimin e ngarkesës së parë të pjesëve të sistemit të mbrojtjes raketore S-400, pavarësisht paralajmërimeve nga Washingtoni se masa do të shkaktonte sanksione amerikane.
Media Haberturk citoi Erdogan, i cili u tha gazetarëve turq se Trump “ka autoritetin të heqë dorë apo të shtyjë CAATSA”, duke iu referuar sanksioneve të SHBA-ve të dizajnuara për të parandaluar vendet që blejnë pajisje ushtarake nga Rusia. “Meqë ky është rasti, është Trump i cili duhet të gjejë terrenin e mesëm“, tha Erdogan, sipas Haberturk. “Tani për tani, unë nuk besoj se Trump ka të njëjtin mendim me ata që janë poshtë tij dhe ai e ka thënë këtë para të gjitha mediave botërore“, tha Erdogan. “Duke blerë S-400, ne nuk po bëhemi gati për luftë. Ne po përpiqemi të garantojmë paqen dhe sigurinë tonë kombëtare“.
Sekretari i Shtetit i SHBA Mike Pompeo tha për Washington Post në një intervistë të botuar vonë të dielën se “ligji kërkon që të ketë sanksione dhe jam i bindur se ne do të respektojmë ligjin dhe Presidenti Trump do të respektojë ligjin”. Zyrtarët e SH.B.A.-së kanë thënë se Turqia mund të hidhet jashtë programit të fluturimit të avionit F-35, përveç sanksioneve të kërcënuara nga CAATSA, që do të thotë se nuk do të ishte më pjesë e procesit të prodhimit apo do të ishte në gjendje të blinte avionët që kishte urdhëruar.
Erdogan tha se Turqia ende donte të blinte sisteme të mbrojtjes nga raketat Patriot nga Washingtoni dhe të dy vendet duhet të synonin rritjen e tregtisë dhe të punonin në “bashkëpunim gjithëpërfshirës të mbrojtjes“. “Trump gjithmonë e ka parë këtë pozitivisht,” tha ai. “Tani, në një kohë kur po diskutojmë vëllime të tregtisë së ndërsjellë prej 75 miliardë-100 miliardë dollarë, a ka vlerë të merremi me këto thashetheme, përse duhet?” Ne jemi partnerë strategjikë, le të bëjmë atë që përfshin partneriteti strategjik “, u shpreh Erdogan. (Euronews)
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.