Erdogan kërkon përgjigje: “Është koha që BE të vendosë për anëtarësimin e Turqisë”

Presidenti i Turqisë Rexhep Taip Erdogan tha të mërkurën se ka ardhur koha që BE të ndajë mendjen nëse do që vendi i tij t’i bashkohet bllokut. Deklarata vjen një ditë pasi kancelarja Merkel u zotua të shtyjë partnerët europianë të konsiderojnë pezullimin ose mbylljen e bisedimeve të anëtarësimit.
Merkel e ka ashpërsuar tonin e debateve rreth kësaj çështjeje dhe është shprehur se Turqia nuk duhet të bëhet vend anëtar. Sipas saj, Ankaraja e ka akuzuar në përhapjen e populizmit.
“BE duhet të marrë një hap tani. Ose do të mbajnë premtimet dhe të hapin rrugën për anëtarësim të plotë, ose të dalin dhe të thonë se nuk duan të vazhdojnë me Turqinë”, tha Erdogan gjatë një takimi me partinë e tij në Ankara.
Sipas presidentit, Turqia nuk e ka braktisur synimin për anëtarësimin në Bashkimin Europian, por ai sinjalizoi se vendit të tij i është sosur durimi me BE, pasi kandidatura për aderim është lançuar në vitin 2005, ndërsa muajt e fundit ka patur një përkeqësim në marrëdhëniet me Gjermaninë.
“Po u them këtë. Dilni dhe thoni këtë gjë me guxim dhe bëni çfarë është e nevojshme. Me guxim. Por në vend të kësaj kurajoje, ka një përqasje të dyfytyrshme për të ndalur bisedimet Turqi-BE për anëtarësim të plotë. Kjo është joetike politikisht”, tha Erdogan.
Po gjatë të mërkurës, Erdogan u bëri thirrje votuesve gjermanë me origjinë turke të mos mbështesin armiqtë e Turiqsë, mes të cilëve ai përfshin kristiandemokratët e Merkel, socialdemokratët dhe të gjelbrit.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.