Erdogan për Bankën Qendrore – “Do ketë probleme serioze nëse nuk riorganizohet”
Presidenti Erdogan, tha se Turqia mund të përballet me probleme serioze nëse banka qendrore e vendit nuk ndryshon tërësisht, pas heqjes së guvernatorit Murat Cetinkaya. Një dekret presidencial ditën e Shtunë tregoi se Cetinkaya, që pritej të mbaronte mandatin në vitin 2020, është zëvendësuar nga Murat Uysal, çka shtoi shqetësimet mbi ndërhyrjen te politikat monetare.
Arsyeja e heqjes së guvernatorit nuk është bërë zyrtare, po burime të Qeverisë thonë se Erdogan është shqetësuar për mbajtjen e normës bazë të interesit në 24% vitin e kaluar për të mbështetur lirën, pavarësisht se ekonomia po “zhytej” në recesion. Sipas Haberturk, Erdogan thotë se Cetinkaya ka marrë vendime me kosto të lartë dhe se ai nuk ka frymëzuar besim në tregje.
“Banka Qendrore është elementi më kryesor në shtyllën financiare të ekonomisë. Nëse nuk e ndryshojmë tërësisht, mund të përballemi me probleme serioze”, tha Erdogan. Presidenti ka bërë thirrje prej kohësh për uljen e normave të interesit që të nxitet ekonomia, pas tkurrjes me 2.6% në tremujorin e parë.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.