ESM mbi borxhet sovrane, Regling: Fondi mund të jetë në qendër të ristrukturimit në të ardhmen

Fondi i shpëtimit të Eurozonës mund të jetë në qendër të çdo ristrukturimi të borxheve sovrane në të ardhmen, e përfshirë kjo në reformat në zonën e valutës së përbashkët.
Detyra kryesore e Mekanizmit Europian të Stabilitetit është tashmë dhënia e huave drejt qeverive që janë përjashtuar nga tregjet financiarë, në këmbim të reformave që synojnë stabilizimin e ekonomive të tyre.
Fondi ka mbështetur vende si Greqia, Irlanda, Portugalia dhe Qipro në vitet e kaluara. Eurozona nuk ka aktualisht rregulla të para-caktuara të ristrukturimit të borxhit, për t’i bërë ballë situatave ku një qeveri humbet aksesin në tregje dhe duhet të improvizojë përballë krizave.
Kjo vjen pjesërisht për shkak se deri sa ndodhi kriza e borxhit sovran në 2010-ën, në Greqi, obligacionet qeveritare të të gjithë vendeve anëtare u konsideruan të sigurta në mënyrë të barabartë dhe një dështim në pagesa mbi borxhin nuk u konsiderua.
Gjatë krizës në Greqi, investitorët privatë u detyruan të pranojnë humbjen e gjysmës së vlerës së titujve grekë të borxhit që zotëronin.
“ESM mund të luajë një rol në përmbajtjen e rreziqeve nëse vendet anëtare do të detajonin një Strukturë të Ristrukturimit të Borxhit Sovran, që do të bënte shlyerjen ndaj kreditorëve privatë më efektive dhe transparente”, tha kreu i fondit, Klaus Regling.
Gjermania ka propozuar se nëse një vend i eurozonës humbet akses në tregje, atëherë do të duhet ta ristrukturojë borxhin në mënyrë automatike, për shembull duke zgjatur maturitetet, për të siguruar një program të shpëtimit nga ESM.
Kjo vjen paralelisht me principet e Fondit Monetar Ndërkombëtar, që nuk i jep hua vendeve me borxh të paqëndrueshëm.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.