ESM për Greqinë – “Kanë nisur bisedimet nëse vendit i duhet apo jo lehtësim borxhi”

Kreu i fondit të shpëtimit të Eurozonës tha se kanë filluar punët teknike për të vlerësuar nëse Greqisë i duhet lehtësim borxhi pas daljes nga programi i shpëtimit më vonë gjatë vitit.
“Punët teknike kanë nisur në mënyrë që të jemi gati deri kur programi i shpëtimit të përfundojë gjatë verës. Nëse kërkohet më shumë lehtësim borxhi, ne jemi të përgatitur për ta dhënë nëse Greqia vazhdon me reformat”, tha kreu i Mekanizmit Europian të Stabilitetit , Klaus Regling.
Regling shprehu optimizëm mbi Greqinë, veçanërisht për shkak se ka qenë e suksesshme për të shitur borxh qeveritar drejt investitorëve përpara se të dalë nga programi. Vendi ka marrë 3 paketa të shpëtimit që prej vitit 2010 dhe borxhi qëndron tashmë në rreth 177% të Produktit të Brendshëm Bruto.
Programi i tretë mbaron në muaji Gusht dhe ofrimi i lehtësimit të borxhit po shihet si një nga pikat kryesore. Fondi Monetar Ndërkobmëtar, që mori pjesë financiarisht në programin e parë dhe të dytë të Greqisë, ka deklaruar se lehtësimi i borxhit është i nevojshëm për vendin që të dalë nga kriza.
Gjermania ka insistuar prej kohësh se Greqia duhet të përqëndrohet më shumë në reforma. Për ta bindur FMN që të marrë pjesë në programin e tretë, qeveritë e Eurozonës bënë të ditur vitin e kaluar se gjatë 2018-ës do të konsideronin zgjatjen e maturiteteve për kreditë me një segment prej 0-15 vitesh. Maturiteti mesatar është aktualisht 40 vite.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.