“ESM” të bëhet “FMN”! – Dijsselbloem: Sa më shpejt, BQE dhe KE kanë punë të tjera

Mekanzimi Europian i Stabilitetit, që është edhe fondi i shpëtimit të Eurozonës, duhet të shndërrohet në një version europian të Fondit Monetar Ndërkombëtar, deklaroi Jeroen Dijsselbloem, i cili është edhe kryetari i Eurogrupit.
“Mendoj se do të bënte më shumë sens për mekanizmin që të zhvillohet në një version europian të FMN në terma afat-mesëm“, nënvizoi Dijsselbloem.
Ai shtoi se, kjo do të thotë se, “troika” e huadhënësve të Greqisë, që përfshin Komisionin Europian, Bankën Qendrore Europiane dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar do të thyhet në terma afatgjatë.
“Banka Qendrore Europiane ndihet e parehatshme në rolin e trojkës“, deklaroi kreu i grupimit të ministrave të financave të 19 vendeve të Eurozonës, duke shtuar se edhe Komisioni Europian ka detyra të tjera mjaft të rëndësishme me të cilat duhet të merret, dhe nuk mund të fokusohet te “trojka”.
Propozimi i Dijsselbloem është bërë kohë më parë edhe nga ministri gjerman i financave, Wolfgang Schaeuble.
Sa i përket rishikimit të programit të shpëtimit me Greqinë, Dijsselbloem nënvizoi se, nuk pret që të përmbyllet përpara samitit të Eurogrupit në Maltë më 20 prill. Alexis Tsipras ka premtuar se, diçka e tillë do të realizohet brenda këtij afati.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.