“Ethet” e maturës, MAS publikon afatet e regjistrimit

Ministria e Arsimit ka miratuar datat e regjistrimeve për provimet e maturës 2017. Në të njëjtën kohë është miratuar edhe strukturën që do të ketë testi si dhe pyetjet që do përmbajë.
Sipas Ministrisë së Arsimi testi për secilin nga provimet e detyruara do të përmbajë 25 pyetje, nga të cilat, 13 pyetje do të jenë me alternativa dhe vlerësohen me 13 pikë, kurse 12 kërkesa do të jenë me zhvillim dhe vlerësohen me 37 pikë.
Secili prej provimeve do të zgjasë 2 orë e 30 minuta. Ndërsa testi për secilin nga provimet me zgjedhje do të përmbajë 20 pyetje, nga të cilat, 10 pyetje do të jenë me alternativa dhe vlerësohen me 10 pikë, kurse 20 pyetje janë me zhvillim dhe vlerësohen me 30 pikë.
Maturanti bën aplikimin online fillimisht në portalin qeveritar e-albania në periudhën 15-30 mars 2017, dhe më pas në portalin matura shtetërore 2017 në periudhën 25 mars-10 prill 2017 sipas një plani kalendar të publikuar nga AKP-ja.
Në periudhën 11-20 prill 2017, Komisioni shtetëror i maturës shtetërore dhe komisioni i maturës plotësojnë online bazën e të dhënave me fushat përkatëse.
Brenda datës 30 prill 2017, bëhen verifikimet dhe korrigjimet përkatëse në sistem. Plotësimi i formularit A1 për maturantët e këtij viti shkollor, bëhet në shkollat ku ata kryejnë arsimin e mesëm.
Kandidatët nuk lejohen të rihapin provimet me zgjedhje, nëse në maturat e viteve të mëparshme rezultatet janë jo me të ulëta, se 4.50. Në rastet kur kandidati ka dhënë më shume se një herë një lëndë në provimet me zgjedhje, i njihet rezultati i fundit.
Entela Barjamaj/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.