“Ethet” e monedhave virtuale, çfarë po ndodh në Shqipëri? Bizneset e kompjuterave pohojnë kërkesën për sisteme të afta për “gërmime”
Javën e kaluar, Banka e Shqipërisë paralajmëroi publikisht rreziqet e monedhave virtuale. Por cila është situata që paraqitet në vend lidhur me “ethet” e monedhave virtuale?
Portali “SCAN” ka bërë një vëzhgim në rrjetet sociale për të parë se sa i madh është realisht interesi i shqiptarëve për Bitcoin, në veçanti për procesin e “gërmimit” të monedhës virtuale.
“Gërmimi” i Bitcoin praktikisht është një metodë, ku çdo përdorues që ka lidhje me internetin shfrytëzon resurset e kompjuterit të tij si procesori dhe karta grafike, për të gjeneruar monedha virtuale, duke patur si kosto vetëm faturën elektrike dhe konsumin e hardware-it.
Debati në forumet shqiptare për bitcoin daton prej vitit 2009 me lançimin e monedhës, por me rritjen e vlerës së këmbimit të saj, interesi ka ardhur në rritje. Ky interes ka kulmuar në Qershor të këtij viti, kur Bitcoin këmbehej me pothuajse 3 mijë dollarë amerikanë.
Të kontaktuar nga SCAN, bizneset të cilat tregtojnë kompjutera dhe pajisje kompjuterike konfirmojnë interesin e lartë për sisteme të afta të gjenerojnë të ardhura nga “Bitcoin mining”.
“Bitcoin është një gjë reale në Shqipëri, nuk janë thjesht zëra që qarkullojnë”, pohojnë bizneset.
Tregtarët shprehen se ka nga ata klientë të cilët vijnë për të marrë informacion për hardware-in që nevojitet, por shumica e individëve që blejnë janë ekspertë të fushës të teknologjisë, të cilët kanë vite që “gërmojnë”.
“Klientët që vijnë janë ‘ajka e informatikës’ dhe kanë disa vite që merren me këtë punë. Ata kanë fituar para gjatë kësaj kohe dhe janë gjithmonë duke përmirësuar dhe shtuar hardware-in e sistemeve të tyre. Këto karta grafike për të cilat bëhet fjalë janë shumë të shtrenjta dhe ne operojmë me porosi, sepse nuk mund t’i mbajmë stok, pasi shiten shumë ngadalë. Klientët bëjnë edhe porosi të mëdha si 20, 40 apo 60 karta grafike”, thotë menaxheri i një prej bizneseve që tregtojnë këto pajisje e që madje reklamon produktin “karta grafike për bitcoin”.
“Interesi për Bitcoin ka qenë i vazhdueshëm. Megjithëse jemi në periudhën e verës, kur shitjet bien, interesi ka qenë i lartë”, shprehet për SCAN një kompani tjetër që tregton mallra elektronike.
Konfirmimi që shqiptarë po gërmojnë për monedha virtuale si bitcoin, ethereum, etj. vjen edhe nga faqet që gjurmojnë aktivitetin në mbarë botën. Sipas këtyre portaleve, Shqipëria gërmon me 2215 GHS (Giga Hash për sekondë, njësi matëse për shpejtësinë e procesimit të blloqeve virtuale).
Aktiviteti është i shtrirë në të gjithë rajonin, me Kosovën që gërmon me 215 GHS, Maqedonia 2417 GHS, Mali i Zi 909 GHS dhe Serbia 4802 GHS.
Ndonëse shumë larg prej ritmit të vendeve europiane, Shqipëria ngadalë po formon rrjetin e saj të funksionimit të monedhës virtuale. Nëse në Kosovë bankomati i parë Bitcoin mbërriti më 17 Korrik, mundësitë për të blerë e shitur bitcoin me para të vërteta kanë ekzistuar me kohë.
Vetëm në Tiranë rezulton se janë tre kambistë virtualë, të cilët këmbejnë monedhën në varësi të çmimit të tregut në bursat botërore, për vlera deri në 15 mijë euro.
Në këto kushte, Banka e Shqipërisë ka bërë apel që të tregohet kujdes për faktin se kuadri ligjor në fuqi nuk e parashikon përdorimin dhe tregtimin e monedhave virtuale dhe, rrjedhimisht, në Shqipëri nuk mund të ketë subjekte të licencuara për aktivitete të këtij lloji.
Në kushtet e mungesës së rregullave që do të disiplinonin aktivitetin financiar dhe mbikëqyrjen e tyre, për Bankën e Shqipërisë, veprimtaria e këtyre subjekteve karakterizohet nga një shkallë e lartë rreziku, pa garanci për mbrojtjen e klientëve nga humbja në investim. Banka e Shqipërisë ka sjellë në vëmendje se investimi në monedha virtuale bart rreziqe të shumta, të natyrave të ndryshme.
Për më shumë lexo edhe:
Monedha virtuale – BSH paralajmëron për rreziqet e BITCOIN
Një portofol i mbrojtur me Bitcoin. I vetmi aset që nuk ndikohet nga Trump, Brexit apo trazirat globale
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.