Ethet Lassa: Zbulohen 2 raste në Britani, por çfarë është dhe a është shqetësuese?

Dy persona janë diagnostikuar me ethet Lassa në Angli dhe një rast tjetër i mundshëm është nën hetim, sipas Agjencisë së Sigurisë Shëndetësore në Mbretërinë e Bashkuar (UKHSA). Rastet janë brenda së njëjtës familje dhe janë të lidhura me udhëtimet e fundit në Afrikën perëndimore. Ato janë rastet e para të identifikuara në Mbretërinë e Bashkuar që nga viti 2009. Njëri prej rasteve është shëruar, ndërsa tjetri do të marrë kujdesin e specializuar në Royal Free London NHS Foundation Trust.
Çfarë janë Ethet Lassa?
Ethet Lassa është një sëmundje virale e shkaktuar nga virusi Lassa i cili shfaqet kryesisht në vendet në Afrikën perëndimore, duke përfshirë Nigerinë, Sierra Leone, Malin, Liberinë dhe Guinenë. Ai transmetohet te njerëzit kryesisht përmes ushqimit ose sendeve shtëpiake të kontaminuara nga urina dhe feçet e minjve të infektuar.
Simptomat më të zakonshme përfshijnë fillimin gradual të etheve, sëmundjes dhe dobësisë së përgjithshme, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), dhe kjo mund të përparojë në dhimbje koke, të vjella dhe diarre.
Shkallë të ndryshme të shurdhimit ndodhin gjithashtu në 25 % të pacientëve të shëruar, megjithëse për gjysmën e këtij grupi, ajo do të kthehet pas një deri në tre muaj. Në rastet më të rënda, ënjtja e fytyrës, lëngjet në mushkëri, gjakderdhja nga goja, hunda, vagina ose trakti gastrointestinal dhe presioni i ulët i gjakut mund të shfaqen si simptoma, sipas OBSH-së.
Virusi mund të përhapet midis njerëzve, por vetëm përmes lëngjeve trupore. Përpara këtyre rasteve të fundit ka pasur vetëm 8 raste të etheve lassa të importuara në MB që nga viti 1980. Megjithatë, aty ku ka infeksione, mund të ketë rezultate serioze. Rreth 1 % e rasteve rezultojnë fatale, me vdekje që ndodh brenda 14 ditëve.
Ethet Lassa janë veçanërisht të rënda në fund të shtatzënisë, me vdekjen e nënës dhe/ose humbjen e fetusit që ndodh në më shumë se 80 % të rasteve gjatë tremujorit të tretë. Megjithatë, 80 % e të infektuarve nuk kanë simptoma.
Për shkak se simptomat e etheve Lassa janë kaq të ndryshme dhe jo specifike, diagnoza klinike është shpesh e vështirë, veçanërisht në fillim të rrjedhës së sëmundjes. Dhe aktualisht nuk ka asnjë vaksinë kundër tij. Megjithëse mund të mos jetë shkak për shqetësim në Europë, ajo mbetet endemike në Afrikën perëndimore dhe ka 100-300 mijë raste të etheve Lassa që vlerësohet se diagnostikohen çdo vit.
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.