Euro bie në 128.8 lekë – Niveli më i ulët që nga shkurti 2009
Zhvlerësimi i euros ka prekur një rekord të ri. Sipas kursit zyrtar të këmbimit, nga Banka e Shqipërisë, euro ra në 128.8 lekë, duke zbritur nën kufirin e 129 lekëve për herë të parë që nga shkurti i vitit 2009.
Në harkun e një viti, monedha europiane ka humbur 5% të vlerës në kursin e këmbimit me lekun. Sipas agjentëve të këmbimit, arsyeja kryesore që motivon rënien e euros është oferta e saj e lartë në treg.
Shpjegimet për këtë ofertë të lartë, të pranishme në treg prej më shumë se dy vjetësh, janë të ndryshme. Besohet se një faktor i rëndësishëm ka qenë fluksi i lartë i investimeve të huaja, sidomos falë projekteve madhore si Gazjellësi TAP apo hidrocentrali mbi lumin Devoll. Gjithashtu, një hipotezë tjetër ka qenë rritja e prurjeve valutore nga aktivitetet kriminale.
Ndërsa vala e re e zhvlerësimit, e nisur në muajin mars, prej disa ekspertëve mund të lidhet edhe me strategjinë e deeuroizimit, të prezantuar në shkurt nga Banka e Shqipërisë. Kjo strategji mund të ketë ndikuar pritshmëritë e aktorëve të tregut financiar, por edhe të publikut të gjerë shqiptar, duke sjellë rritje të këmbimeve të euros në tregun valutor.
Lëvizjet në kursin e euros kanë një ndikim të madh për një ekonomi gjerësisht të euroizuar, si ajo shqiptare. Dobësimi i euros i bën më të lira për shqiptarët importet e mallrave dhe shërbimeve, përfshi këtu edhe turizmin jashtë vendit. Përfitime kanë kredimarrësit në valutë, me të ardhura në lekë, që po paguajnë këste më të ulëta falë kursit të këmbimit. Ata që humbasin janë eksportuesit e mallrave dhe shërbimeve, duke filluar nga ndërmarrjet që punojnë me material porositës nga jashtë, kompanitë call center, apo edhe eksportuesit e mirëfilltë të mallrave.
Në teori, forcimi i lekut ndaj euros nuk favorizon as turizmin hyrës, sepse e bën Shqipërinë më të shtrenjtë për vizitorët nga Eurozona. Humbje nga zhvlerësimi euros kanë të gjithë ata individë që kryejnë shpenzime në lekë, por që kanë të ardhura në euro ose zotërojnë asete që kuotohen në euro, përfshirë depozitat bankare.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.