Euro drejt $1.20 – Niveli më i lartë në dy vite e gjysmë, nuk e shqetëson Draghin

Euro u rrit në nivelin më të lartë në dy vite e gjysmë, duke i’u afruar nivelit të 1.20 kundër dollarit amerikan, gjatë sesionit tregtar të ditës së Hënë, duke vazhduar fuqizimin e javës së kaluar.
Ndërkohë që tregjet në Londër janë mbyllur ditën e Hënë, tregtia e valutave ka qenë e limituar. Megjithatë, në hapje të sesionit, euro u rrit me 0.1% në 1.1926 dollarë, ndërsa në tregtinë aziatike, preku nivelin më të lartë që prej Janarit 2015, në 1.1965.
Valuta e përbashkët është drejt muajit të 6 radhazi të rritjes kundër dollarit, që është performanca më e fortë në 5 vite.
Euro u rrit me rreth 1% të Premten e kaluar, pasi presidenti i Bankës Qendrore Europiane, Mario Draghi, nuk e përmendi fuqizimin e valutës në konferencën e FED në Jacskon Hole, ndërkohë që u fokusua në çështje të tjera si tregtia globale.
Analistët e Commerzbank thonë se Draghi nuk ishte i shqetësuar mbi nivelet aktuale të euros, gjë që justifikon lëvizjen e tregjeve për të çuar valutën në nivele akoma më të larta. Euro mori nxitje edhe nga kryetarja e FED, Janet Yellen, e cila nuk përmendi politikat monetare në SHBA.
Tregjet presin tashmë vetëm 1 rritje të normës bazë të interesit në SHBA, gjë që justifikon paksa dobësinë e dollarit.
Valuta europiane pritet të qëndroje e fortë, të paktën në terma afat-shkurtër, ndërkohë që investitorët janë fokusuar në takimin e javës së ardhshme të BQE dhe nëse lajmëron ose jo planet për të reduktuar programin e blerjes së borxhit.
Sinjalet se Banka do të përfundojë së shpejti programin, ka çuar valutën në rritje me rreth 13% kundër dollarit deri më tani për vitin.
Indeksi i dollarit, që mat performancën kundër 6 valutave të mëdha rivale, ra në 92.4 pikë, niveli më i dobët që prej Majit 2016.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.