Euro e mbyll javën në qëndrueshmëri – Jeni japonez, humbësi më i madh gjatë javës dhe gjatë marsit

Euro pritet ta mbyllë javën në qëndrueshmëri përballë dollarit amerikan, ndërsa humbjet më të mëdha i ka realizuar jeni japonez. Në anën tjetër, monedhat që janë të lidhura me lëndët e para pritet të publikojnë fitime për të dytën javë më radhë.
Monedha europiane po tregtohet në rreth 1.1 dollarë, ndërsa në treg vijojnë shqetësimet se konflikti mes Rusisë dhe Ukrainës do të dëmtojë ekonominë europiane, për shkak të rritjes së kostove të energjisë dhe ushqimeve. Humbësi më i madh gjatë kësaj jave është jeni japonez, që ka rënë me rreth 2.6% në raport me dollarin amerikan, ndërsa gjatë marsit ka rënë me 6%.
Paundi britanik po tregtohet në rreth 1.32 dollarë amerikanë, ndërsa tregtarët po tregohen të kujdesshëm në pritje të Bankës së Anglisë. Ndërkohë, rubla ruse po tregtohet e qëndrueshme, pasi presidenti rus, Vladimir Putin deklaroi se do ta shesë gazit ndaj vendeve “jo miqësore” në rubla ruse dhe jo në euro apo dollarë.
Lidion Kulla / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.