Euro humbet terren, BQE: Po bie përdorimi global i monedhës së përbashkët

Përdorimi i euros si një monedhë ndërkombëtare ka rënë gjatë vitit të kaluar, kryesisht falë shqetësimeve që lidhen me rreziqet politike, dhe si pasojë e rritjes së përdorimit të valutave nga vendet në zhvillim, si Yuani kinez, thotë Banka Qendrore Europiane në një raport të fundit.
Rënia më e madhe, sipas institucionit me bazë në Frankfurt, është regjistruar në drejtim të përdorimit të euros si monedhë për të financuar. “Mesazhi i thjeshtë këtu është se, Euro ka vijuar të humbasë terren si valutë ndërkombëtare”-deklaroi Benoit Coeure.
Pavarësisht kësaj, ai shtoi se, euro nuk ka ende asnjë sfidant në rolin e monedhës së dytë më të përdorur në sistemin monetar ndërkombëtar. Ndër të tjera, anëtari i bordit drejtues të Bankës Qendrore Europiane, Benoit Coeure, u shpreh se Renminbi kinez ka filluar të ketë një rol të rëndësishëm në diversifikimin e portofolit. Për këtë arsye, Banka Qendrore Europiane vendosi valutë të huaj te monedha kineze në vlerën e 500 milionë eurove më herët gjatë vitit. Sipas Coeure, kjo mund të pasohet nga operacione të tjera blerje. Gjatë vitit të kaluar, 20% e rezervave të huaja në nivel global ishin në Euro, ndërkohë që dollari amerikan vijon të mbajë vendin e parë, duke zënë dy të tretat e tregut të borxhit, huave dhe rezervave.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.