Euro kalon $1.20 – Dollari bie ndaj jenit dhe frangës prej tensioneve gjeopolitike

Euro ka kaluar nivelin prej 1.20 dollarë për të parën herë që prej Janarit 2015, ndërsa dollari ra në nivelin më të ulët në 4 muaj kundrejt jenit japonez për shkak të tensioneve të reja gjeopolitike mbi Korenë e Veriut.
Euro shënoi 1.2066 kundër dollarit, niveli më i fortë që prej datës 2 Janar 2015. Pritshmëritë se Banka Qendrore Europiane do të lajmërojë së shpejti planet për të përfunduar programin e blerjes së titujve të borxhit, ka rritur euron me 14% kundër dollarit deri më tani për vitin.
Valuta e përbashkët u fuqizua të premten e kaluar, pas fjalimit të Presidentit të institucionit, Mario Draghi, i cili nuk adresoi fuqizimin e kohëve të fundit. Draghi u shmang gjithashtu nga dhënia e detajeve të reja mbi kohën se kur Banka Qendrore Europiane do të nisë përfundimin e programit të stimujve.
Euro shënoi nivelin më të lartë në 8 vite kundër paundit, duke arritur 0.9290, vlerë e prekur për herë të fundit në Tetor 2009. Euro është rritur me rreth 9% kundër valutës britanike deri më tani për vitin, duke reflektuar divergjencën e perspektivës ekonomike në Eurozonë dhe Mbretërinë e Bashkuar.
Dollari ra në nivelin më të ulët në 4 muaj kundër jenit që konsiderohet si aktive e sigurt, pasi Koreja e Veriut lëshoi një prellë që kaloi mbi Japoninë, gjë që Kryeministri i vendit, Shinzo Abe, e quajti një “kërcënim serioz”.
Dollari ra në 108.6 jen, niveli më i ulët që prej 17 Prillit. Dollari ra edhe kundër frangës zvicerane, një tjetër valutë që bëhet e tërheqshme në periudha të shmangies së rrezikut, duke prekur 0.9490.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.