Euro ndalon rënien, por leku mbetet ende shumë i fortë – Dollari bie në 104.3 lekë

Rihapja e tregut vendas të këmbimit valutor është shoqëruar me një rritje të lehtë të euros, duke rritur shpresat për një rimëkëmbje graduale të kësaj monedhe në vlerat e saj normale. Një euro këmbehet sot për 128.7 lekë dhe blihet për 129.8 lekë.
Nëse valuta e përbashkët europiane do të vijojë të rritet edhe në ditët në vijim, do të përsëritet i njëjti skenar i 20 ditëve më parë, kur euro u fundos në 128.3 lekë dhe u rrit sërish në 131.9 lekë.
Në rritje ditën e sotme paraqitet edhe paundi britanik, i cili ka fituar 0.9 pikë në raport me vlerën e ditës së premte. Kërkesa për stërlinën është forcuar veçanërisht në orët e mëngjesit, duke fituar në pak orë 0.6 pikë kundrejt lekut.
Ndërkohë, situata nuk duket aspak pozitive për dollarin amerikan, i cili vijon të zhvlerësohet ndaj lekut për të disatën ditë radhazi. Krahasuar me javën e kaluar, dollari është në rënie me 0.7 pikë dhe këmbehet tashmë për 104.3 lekë. Ky përbën një minimum të ri rekord për valutën e Shteteve të Bashkuara që prej vitit 2014.
Megjithatë situata pritet të normalizohet disi në tregun vendas në vijim, duke ndjekur shembullin e tregjeve ndërkombëtare, të cilat po qetësohen pas deklaratës së presidentit kinez Xi Jinping për të shkurtuar tarifat e importit që do të shkaktonin një luftë tregtare mes dy ekonomive më të mëdha të botës.
Sa i takon valutave të tjera, dollari australian ka regjistruar sot një rritje të lehtë me 0.2 pikë; dollari kanadez ka qëndruar i paluhatur, ndërsa franga zvicerane ka rënë me 0,8 pikë, pavarësisht se kartëmonedha e re 10 frangëshe u shpall më e bukura për vitin e kaluar.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.