Euro, në nivelin më të lartë në 1 muaj – Monedha europiane mbështetet nga shpresat për paqe në Ukrainë!

Euro po qëndron në rritje edhe në sesionin e sotëm, përballë dollarit amerikan, duke prekur nivelin më të lartë në 1 muaj. Shpresat se lufta në Ukraina mund të ketë hyrë në një fazë të re të zbutjes së luftimeve, kanë mbështetur monedhën europiane. Në anën tjetër, jeni japonez pritet të realizojnë humbjet më të mëdha mujore që nga nëntori i vitit 2016.
Monedha europiane po tregtohet në rreth 1.1175 dollarë, niveli më i lartë për këtë muaj, ndërsa gjatë kësaj jave është rritur me 1.7%. gjatë bisedimeve të paqes në Stamboll, Rusia tha se do të minimizojë operacionet ushtarake në rrethinat e Kievit dhe në qytetin e Chernihiv, pavarësisht se Ukraina dhe aleatët perëndimorë paralajmëruan se për shkak të humbjeve të mëdha, Rusia po përgatitet për të rifilluar sulmet.
Gjithashtu, presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, deklaroi se forcat ukrainase po përgatiten në lindje të vendit për sulme të reja të ushtrisë ruse. Në tregun e kriptovalutave, bitcoin po tregtohet i qëndrueshëm për të tretën ditë me radhë, në mbi 47,240, ndërsa ethereum tregtohet në rreth 3400 dollarë.
Lidion Kulla / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.